Prishtine, 15 mars 2007 – Gjashtëdhjeteshtatë grupe mallrash, që përdorën për prodhim në Kosovë, janë liruar nga taksat doganore me rregulloren e re tarifore doganore, që ka filluar të zbatohet më 1 mars, kanë bërë të ditur zyrtarët e Doganave.
Mallrat e liruara nga taksat doganore janë kryesisht lëndë e parë dhe materiale ndërtimore, përfshirë këtu edhe makinat bujqësore, ka bërë të ditur sot në një konferencë për media, Bashkim Arifi, zëvendësdrejtor i Doganave.
Kjo listë është rezultat i bashkëpunimit të Departamentit Qendror të Doganave me MTI-në dhe me komunitetin e biznesit. Importuesit tashmë do ta kenë listën e mallrave dhe prej aty do të orientohen për çdo mall që ata importojnë, nëse është i liruar apo jo nga tarifa doganore.
“Në qoftë se dikush importon ndonjë lloj malli të caktuar mjafton të shoh në listë se a lirohet ai mall apo jo nga taksa doganore”, ka thënë Arifi, për të sqaruar se, prej fillimit të këtij viti, janë importuar grupe mallrash që përdoren për prodhim në vlerë prej 70 mijë eurosh ndërkaq, implikimet buxhetore kanë qenë 700 mijë euro.
Ndërkaq, zyrtari i lartë i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Andreas Vitkovski, tha se kjo rregullore është hartuar në mënyrë që prodhuesit vendorë të investojnë dhe të jenë më garues.
“Qëllimi është që të importohen grupe mallrash që janë më të lira dhe përdorën për prodhim në mënyrë që prodhuesit kosovarë të investojnë dhe të prodhojnë produkte të tyre me të cilat do të jenë më garues në treg”, tha ai, duke shpjeguar se rregullorja e re 2007/12 do të zbatohet në të gjitha pikat doganore, përfshirë edhe veriun e Kosovës.
ECIKS / Telegrafi