Në maj të vitit të ardhshëm parashikohet të anëtarësohen në Bashkimin Evropian tetë shtete evropianolindore dhe qendrore. Kjo do të thotë gjithashtu që Bashkimi Evropian zgjerohet edhe me tetë tregje të reja kapitali, por tregjet e reja janë më pak të zhvilluara sesa tregjet e konsoliduara financiare: Londra, Parisi, Frankfurti, Amsterdami dhe Milanoja. Me to bursat e qeta në Varshavë, Pragë dhe Budapest nuk mund të konkurrojnë. Fundin e listës e zënë Letonia, Lituania dhe Estonia. Atje kultura e bursës nuk është zhvilluar as në fazën fillestare.
Në vitin 2002 të gjitha aksionet e vendeve aderuese arrinin një vlerë tregu prej thuajse 65 miliardë eurosh. Kjo përbën vetëm dy për qind të vlerës përkatëse në hapësirën e euros. Duket qartë hendeku midis tregjeve të kapitalit në Bashkimin Evropian dhe në vendet aderuese.
Pikërisht tek ky fakt tërheq vëmendjen Banka Qendrore e Gjermanisë, Deutsche Bundesbank në raportin e saj të fundit mujor të korrikut 2003. Pranimi i vendeve aderuese evropianolindore në Bashkimin Monetar Evropian është problematik, paralajmëron ajo, për sa kohë që tregjet lindore të kapitalit dallojnë aq dukshëm nga mesatarja e Bashkimit Evropian.
Bursat funksionuese në vendet aderuese janë të rëndësishme për integrimin e suksesshëm të këtyre vendeve në Bashkimin Evropian dhe në zonën e euros. Pasi kryesisht nëpërmjet bursave mund ta depozitojnë investuesit kapitalin brenda një kohe të shkurtër në vendin e duhur përtej kufijve. Midis vendeve të industrializuara, perëndimore kjo funksionon pa vështirësi, sepse tregjet e tyre të parasë janë ndërkohë krejtësisht të ndërthurura.
Por për një investues është e vështirë të blejë pjesë të një shoqërie aksionare në Hungari apo në Slloveni. Ndër të tjera një arsye për këtë është xhiroja e ulët në këto bursa. Ajo përbën rrezik për të gjithë investuesit, pasi sapo një fond ble atje shumë aksione të një firme njëheri, kjo mund të çojë në rënie drastike të kurseve të atyre emrave, të cilët nuk tregtohen shumë.
Për këtë arsye shumë firma nga vendet aderuese tregtohen edhe në bursat evropianoperëndimore. Një shembull për këtë është Telekomi Polak. Ai është një nga shoqëritë më të mëdha aksionare në lindje dhe i preferuari i menaxherëve perëndimorë të fondeve.
Veçanërisht i lartë është rreziku i investuesive privatë në investimet në firma nga vendet aderuese. Kjo sepse ende është shumë më e vështirë të informohesh për gjendjen e një firme çeke si Komercni Banka sesa për fitimet e një firme si ajo gjermane Deutsche Bank.
Pa dyshim po aq të mëdha janë edhe mundësitë për rritje të majme kursi. Një vështrim mbi ecurinë e kurseve të dy firmave relativisht të mëdha nga vendet aderuese tregon se çfarë mundësishë dhe rreziqesh qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. Vlera e aksionit të një firme hungareze të shërbimit shëndetsor ka humbur një të tretën që prej muajit qershor 2000. Në të njëjtën periudhë firma çeke Komercni Banka arrita ta trefishojë kursin e saj.
ECIKS / DWelle