PRISHTINE, 30 KORRIK 2003 – Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, priti dje drejtorin ekzekutiv të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), Jyrgen Mendricki, i cili shoqërohej nga Ahmet Shala, zëvendësdrejtor, dhe Johan Johanson, kryesues i procesit të privatizimit në AKM. Pas takimit, Presidenti Rugova shprehu mbështetje të plotë për procesin e privatizimit në Kosovë. “Ju e dini se gjithmonë e kam përkrahur procesin e privatizimit, sepse ky proces do të shpejtojë zhvillimin ekonomik të Kosovës, do të tërheqë investitorë të huaj në Kosovë dhe do të krijojë mundësi hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo do të ndikojë edhe në përshpejtimin e procesit të njohjes formale të pavarësisë së Kosovës”, theksoi Presidenti Rugova. Duke shprehur mbështetje për punën e AKM-së, Presidenti Rugova tha se institucionet e Kosovës dhe shoqëria civile duhet t’ia shpjegojnë qytetarëve rëndësinë e procesit të privatizimit. “Ndërmarrjet shoqërore aktualisht janë gjysmë të bankrotuara, prandaj ato duhet të shpëtohen. Prandaj, duhet të jemi të guximshëm dhe të mos lejojmë shkatërrimin e kësaj pjese të ekonomisë”, theksoi presidenti Rugova. I pyetur rreth fatit të punëtorëve dhe reagimeve të sindikatës, presidenti Rugova tha se institucionet e Kosovës, si edhe AKM-ja, do të kenë kujdes edhe për punëtorët e ndërmarrjeve që do të privatizohen. “Ka kritika e vërejtje të ndryshme, por ne duhet të ecim përpara, duke pasur kujdes për punëtorët”, u shpreh ai. Presidenti Rugova vlerësoi se tash është më me rëndësi që të privatizohen ndërmarrjet, për të qenë më produktive dhe për të ndikuar në shpejtimin zhvillimit ekonomik e të rritjes së shkallës së punësimit.
ECIKS / BalkanWeb