Berisha: Së shpejti punimet në rrugën Durrës-Prishtinë

Tiranë, 14 shkurt 2006 – “Javën e ardhshme do të nisin punimet në autostradën Durrës-Prishtinë, në 3 segmente të saj dhe ndërtimi do të bëhet nga firma shqiptare, ndërkohë që do të zhvillohen negociata me Bankën Botërore për rrugën drejt Kukësit” premtoi kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha në mbledhjen e grupit të deputetëve të Partisë Demokratike .

“Njëra pjesë e segmentit ka filluar, për pjesën tjetër do të bëhet shpronësimi. Ne do ta bëjmë rrugën dhe besoj se kjo është një dëshirë e të gjithë shqiptarëve. Kjo rrugë ka rëndësi të jashtëzakonshme për fluksin turistik dhe për shumë aspekte të tjera. Negociatat në tërësi kanë ecur shumë mirë, vendosmëria jonë është shumë e prerë dhe ne jemi të vendosur për buxhet kontributor madhor në ndërtimin e saj. Banka Botërore ka ofruar gatishmërinë e saj për financim dhe ne i jemi shumë mirënjohës. Javën që vjen shpallet tenderi për segmentin Milot-Rrëshen, pas 4-5 javësh shpallet tenderi për segmentin Morinë-Kukës dhe në vazhdim tenderi për segmentin Kukës-Kalimash. Ne jemi shumë të vendosur që të operohet në disa segmente, në mënyrë që koha e ndërtimit të kësaj rruge të jetë më e mundshmja e shkurtër”, tha kryeministri Berisha.

ECIKS / RTK