Beqaj kërkon reforma fiskale pa e dëmtuar buxhetin

Prishtinë, Hapat të cilët duhet të ndjekë Qeveria e Republikës së Kosovës për anëtarësimin në institucionet financiare ndërkombëtare duhet të orientohen kah politikat e mirëfillta makroekonomike, relacionet tregtare me vendet e rajonit, orientime të qarta zhvillimore dhe harmonizim të legjislacionit për të tërhequr edhe investime, tha të hënën në Prishtinë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Besim Beqaj.

Ai i bëri këto komente në një konferencë me gazetarë në Qendrën mediale në Prishtinë.

Kryetari i OEK-ut tha se ky institucion ka themeluar Zyrën për integrime evropiane, e cila ka për qëllim harmonizimin e agjendës qeveritare me orientimin e saj strategjik shtetërore, me qëllim që të përgatisin biznesin për të hyrë në BE në faza më të gjata.

“Duhet të korrespondojmë dhe të bëhemi krah i fortë i Qeverisë që ta përgatisim biznesin me praktikat më të mira ekonomike, me përvojat, legjislacionin, për të krijuar një ambient të mirë ekonomik për një shtet stabil të qëndrueshëm”, tha ai.

Ai tha se OEK-u ka filluar edhe më herët lobimin e ndryshimit të politikave fiskale në Kosovë, në drejtim të krijimit të një ambienti më të mirë për biznes.

“Ne Qeverisë i kemi dorëzuar një propozim me tri çështje gjithëpërfshirëse, të cilat shpjegojnë se cilat fusha duhet të ngritën në nivele të tatimeve dhe cilat të zbriten, me qëllim të mbajtjes së një stabiliteti buxhetor”, tha Beqaj.

Ai tha se nga Qeveria kanë kërkuar ta ketë të qartë rolin e vet në fushën e përcaktimit të orientimeve strategjike qeveritare dhe nëse mendohet se zhvillimi ekonomik duhet të funksionojë, atëherë duhet edhe politikat fiskale të ndryshohen.

“Ulja e taksave për bizneset duhet të merret si arsye ekonomike, ndërsa rritja e taksave për të ardhurat do të mbetet çështje që duhet të diskutohet”, tha ai, duke shtuar se do të jenë përkrah qeverisë për ta trajtuar në aspektin më të mirë të mundshëm qëndrueshmërinë fiskale dhe buxhetore.

Ndërsa në rast të embargos së Serbisë ndaj Kosovës, kryetari i OEK-së, tha se në rast të një situate të tillë, Kosova ka tashmë rrugë alternative të furnizimit me mallra.

“Janë vendet e rajonit si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Turqia, Bullgaria, etj, që do të mund të ndihmonin vendin tonë në rast të ndonjë bllokade”, tha ai.

Ai tha se situata e eksportit është shumë larg zhvillimit andaj duhet të punohet në këtë drejtim kur dihet se 91 për qind e buxhetit të përgjithshëm ka import, ndërsa vetëm 9 për qind eksport.

KosovaLive