KOSOVA SHTET

Prishtinë, Kosovë, 18.02.2008 – Kuvendi i Kosovës ka shpallur dje Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran. Qindra mijëra kosovarë kanë festuar shpalljen e pavarësisë në rrugët e të gjitha qyteteve kosovare. Shteti i ri është obliguar të implementojë pakon e Ahtisaarit, ka ftuar KFOR-in të vazhdojë qëndrimin e tij në Kosovë si dhe ka shprehur mirëseardhje për Misionin e ri të BE-së.

Lindja e shtetit më të ri në Evropë, që shënon fundin e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, do të stabilizojë rajonin si dhe do të ofrojë perspektivë për zhvillim ekonomik dhe integrim evropian për popullatën e re të Kosovës.

Nisma Ekonomike për Kosovën (ECIKS), që përfaqëson Agjencinë e Kosovës për Promovimin e Investimeve në rajonin gjermanofolës, beson që zhvillimi ekonomik do të jetë tash e tutje në qendër të vëmendjes së institucioneve të Kosovës. Zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës ka hequr edhe pengesën e fundit për shumë investitorë të huaj potencial, të cilët vendimin për investime e kanë shtyrë mu për shkak të statusit të paqartë.

ECIKS, që vazhdon të promovojë investimet nga Austria, Gjermania dhe Zvicra, pas pavarësimit të Kosovës do ta aplikojë një qasje edhe më pro-aktive. Për këtë qëllim, ECIKS në koordinim me “Foreign Investment Advisory Service” (FIAS) të Bankës Botërore, ka planifikuar një kampanjë më intensive dhe më të fokusuar promovuese për muajt e ardhshëm. Implementimi i kësaj kampanje do të fillojë menjëherë.

ECIKS