BE: korridori 8 nuk është prioritet

Bruksel, 23 prill 2004 – Korridori i 8-të përjashtohet nga projektet prioritare të Bashkimit Europian. Kjo është konfirmuar dje zyrtarisht në faqen zyrtare të Parlamentit Europian. Në seancën e djeshme eurodeputetët kanë miratuar një sërë projektesh gjigante për Europën, si ai i ndërtimit të një ure madhështore në Ngushticën e Mesinës, ndërkohë që kanë kundërshtuar amendamentin që kishte si qëllim të fuste Korridorin Bari-Durrës-Sofje-Varna-Burgas mes projekteve prioritare. Ky projekt ishte miratuar në komision parlamentar të transporteve dhe Asamblenë Parlamentare Europiane, ndërkohë që është hedhur poshtë nga eurodeputetët. Pra, ëndrra për një projekt gjigant, pjesë e të cilit do të ishte edhe Shqipëria, edhe për një afat kohor të pacaktuar merr fund. Ndërkohë në fillim të muajit prill ministrat e vendeve nga ku supozohet të kalojë ky korridor firmosën në Tiranë projektin përfundimtar të tij. Në këtë takim merrnin pjesë ministrat e Transporteve të këtyre vendeve: Spartak Poçi për Shqipërinë, Pietro Lunardi për Italinë, Agron Buxhaku për Maqedoninë dhe Nikollaj Vasilev për Bullgarinë. Ndërkohë që Greqia u prezantua nga ambasadori grek në Shqipëri Pantelis Karabassis. Ky i fundit, i cili ishte edhe përfaqësuesi suprem i vendit të tij në këtë takim, u shpreh se nuk do të nënshkruante (firmoste) marrëveshjen nëse nuk do të bëheshin disa korrigjime në projektin e paraqitur për miratim. Në rast se ky projekt do të miratohej, atëherë Bashkimi Europian do të financonte 75 për qind të vlerës së tij. Sipas të gjitha gjasave, ky proces po shkon sipas raportit “Van Miert”, i cili parashikon që ky projekt nuk do të jetë një prioritet i BE-së deri në vitin 2020. Ndërkohë ministri italian i Infrastrukturës dhe Transporteve Pietro Lunardi gjatë një takimi me homologët e tij ballkanikë në shtator shprehej: “Afati i përfundimit të këtij korridori, nëse punimet fillojnë shpejt, mund të jetë viti 2013”. Shqipërisë dhe shteteve të tjera të përfshira në këtë projekt nuk u ngelet vetëm të presin miratimin e eurodeputetëve për përfshirjen e tij si projekt prioritar.

Cili është Korridori i 8-të
Korridori i 8-të përbën një program kompleks, thelbësor për kohezionin territorial mes Adriatikut dhe Ballkanit, Detit të Zi dhe Lindjes së Mesme. Korridori përfshin lidhjen intermodale Perëndim –Lindje midis rajoneve të transportit paneuropian, Detit Adriatik Jon dhe të Detit të Zi. Linja kryesore është linja që lidh Barin dhe Brindizin me Durrësin, Vlorën, Tiranën, Qafëthanën, Shkupin, Plovdiv-Burgas, Varna. Korridori përfshin lidhjen rrugore Ormenion-Svilengrad-Burgas, që lidhet me korridorin 4, 9 dhe rrjetin transeuropian. Korridori i 8-të përbën një sistem bashkëpunimi që parashikon realizimin, nga zeroja, të infrastrukturave rrugore me një gjatësi prej 960 kilometrash, të rrjeteve hekurudhore me gjatësi rreth 1270 kilometër. Përveç transportit rrugor dhe hekurudhor në korridor përfshihet edhe transporti detar, ajror dhe energjetik.

ECIKS / Biznesi