BE financon tri studime për energjetikën në Kosovë

Prishtinë 14 maj 2005 – Bashkësia Evropiane ka njoftuar se do të financojë tri studime të reja vlerësimi për industrinë energjetike të Kosovës me qëllim të tërheqjes dhe përcaktimit të investimeve në këtë sektor.

“Këto studime do të tregojnë saktësisht se ku mund të ndihmojnë investimet për ta avancuar industrinë energjetike të Kosovës”, tha Tieri Bernard–Gel, i cili drejton Agjencinë Evropiane për Rindërtim, qendra në Kosovë, e cila menaxhon pjesën më të madhe të ndihmës së BE-së në Kosovë.

Njëri studim do të përqendrohet në realizueshmërinë e ndërtimit të një termocentrali të ri. Tjetri do të shqyrtoj mënyrat e kufizimit të ndikimit në ambient, të Kosovës B – tani prodhuesi kryesor i energjisë. Studimi i tretë do të shqyrtoj arsyeshmërinë ekonomike dhe teknike të rehabilitimit të katër blloqeve të Kosovës A. Të tri studimet pritet të përfundojnë kah fundi i këtij viti. “ Këto studime janë absolutisht të nevojshme për Kosovën për t’i tërhequr investitorët në sektorin e energjisë dhe të ndihmojnë zbatimin e strategjisë të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave,” tha Bernard Gel. Këto studime të reja vijnë pas një projekti të mëhershëm të BE-së që kishte për qëllim zhvillimin e dy minierave ekzistuese dhe hapjen e minierës së re në Sibofc, për të siguruar furnizim afatgjatë me thëngjill për termocentrale, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Agjencia Evropiane për Rindërtim.

ECIKS / RTKLive