Vetëm 3 milionë USD për rrugën Durrës-Kukës

Kreu i Komisionit Hetimor, Zogaj, dhe i KLSh-së, Çeku, kanë deklaruar dje gjatë një takimi se në ndërtimin e kësaj rruge janë investuar vetëm 3 milionë dollarë

Tiranë, 18 maj 2005 – Pas debateve të ditëve të fundit janë vërtetuar dyshimet mbi “humbjen” e parave të rrugës Durrës-Kukës, para që janë paguar nga korriku i vitit 2002 deri në fund të vitit 2003 nga taksapaguesit. Gjatë një takimi që ka pasur dje paradite, kryetari i Komisionit parlamentar Hetimor për fondet e kësaj rruge, Preç Zogaj dhe ai i KLSH-së Robert Çeku kanë bërë të ditur se vetëm 3 milionë dollarë nga shuma e mbledhur kanë arritur në destinacionin e tyre. Pas takimit të djeshëm me kreun e KLSH-së, Preç Zogaj tha se rreth 80 milionë dollarë nuk dihet se ku janë dhe për këtë duhet të japë përgjigje Ministria e Financave. Deputeti Zogaj i bëri deklaratat e tij pas një udhëtimi përgjatë zonave ku do të ndërtohet rruga Durrës – Kukës. Gjatë fundjavës që lamë pas, lidhur me shumat e mbledhura ministri i Financave Arban Malaj ka deklaruar se shuma e mbledhur deri në vitin 2003 është rreth 4.6 miliardë lekë. Deklarata e Zogaj për shumën prej 3 milionë dollarësh vjen pas inspektimit në veri të vendit dhe pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Taksa
Vetëm 3 milionë dollarë të mbledhura nga Taksa Majko kanë shkuar në funksion të ndërtimit të rrugës Durrës –Kukës. Pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryetari i Komisionit parlamentar Hetimor bëri publike shifrën e abuzimeve që, sipas tij, është më shumë se 80 milionë dollarë. “Kemi marrë zyrtarisht përgjigje se janë mbledhur 44-45 milionë dollarë deri në fund të vitit 2003, dhe po presim përgjigje nga drejtori i Tatim-Taksave sesa është mbledhur në 2004 dhe 2005”, tha dje Preç Zogaj. Lidhur me deklaratën e tij për shumën prej afro 83 milionë dollarësh, deputeti Zogaj tha se janë bërë përafrime lidhur me shumat që janë derdhur nga taksapaguesit shqiptarë gjatë viteve për të cilat janë publikuar të dhëna. “Logjikisht kemi arsye të mendojmë se është mbledhur pak a shumë e njëjta shumë, prandaj unë them se deri tani shqiptarët kanë paguar rreth 80-84 milionë dollarë”, u shpreh kryetari i Komisionit parlamentar Hetimor.

Përdorimi
Sipas Preç Zogajt, vetëm 3 milionë dollarë të mbledhura nga taksa janë përdorur për ndërtimin e rrugës, ndërsa pjesa tjetër nuk dihet se ku është. “Në total deri tani janë alokuar 3 milionë dollarë, domethënë që janë një shumë e papërfillshme në krahasim me taksën e mbledhur”, tha dje Preç Zogaj. Deputeti inspektoi punimet në zonën e Mirditës këtë të shtunë. Ndërkohë që nesër pritet që në Komisionin Hetimor të dëshmojë ministri Financave Arben Malaj, nga i cili kërkohet një përgjigje se ku ka përfunduar shuma prej rreth 80 milionë dollarësh.

Mbledhja e taksës
Taksa Majko, ose e quajtur taksa e rrugës Durrës-Kukës, ka nisur të mblidhet në korrik të vitit 2002 dhe për vitin në fjalë u mblodhën rreth 1.2 miliardë lekë. Ndërkohë që e njëjta taksë është mbledhur gjatë gjithë vitit 2003, duke bërë që në fund të vitit 2003 shuma të jetë mbi 3.3 miliardë lekë. Pas këtij viti emërtimi i kësaj takse ndryshoi, por ajo akoma vazhdon të vilet, tanimë nën emrin “taksa për automjetet”. Gjatë 18 muajve të parë që kjo taksë u mblodh, qeveria duke shtuar barrën fiskale arriti që të ulë borxhin e brendshëm dhe të deklarojë që ulja e borxhit u bë në sajë të punës së mirë të qeverisë dhe Ministrisë së Financave.

ECIKS / Biznesi