Tiranë, 14 maj 2005 – Konsorciumi Tyrk-Telekom dhe Çelik-Enerzhi është shpallur fitues i tenderit ndërkombëtar që u zhvillua para një jave në Tiranë për blerjen e ALB-Telekom të vetmes shoqëri tregtare të telefonisë fikse në Shqipëri. Turqit ofrojnë 120 milionë euro për të blerë 76% të aksioneve ndërsa pjesa tjetër do t’i mbetet shtetit. Por ky privatizim po kundërshtohet fort nga opozita e djathtë së cilës i është bashkuar dhe partia e majtë e ish kryeministrit Ilir Meta. Mungesë transparence në proces, çmim abuziv: këto janë argumentet kryesore me të cilat kundërshtohet privatizimi i ALB-Telekomit. Përkimi i përfundimit të tenderit me periudhën e zgjedhjeve parlamentare përbën një argument tjetër që opozita dhe metistët të kundërshtojnë privatizimin. Ilir Bano, deputet i Partisë Demokratike që vitin e kaluar drejtoi një komision hetimor parlamentar për veprimtarinë ekonomiko-financiare të ALB-Telekom e mbështet bindjen e tij për mungesë transparence në faktin që turqit u shpallën fitues pa konkurrentë. Nga katër kompanitë e përzgjedhura tre u tërhoqën në momentin e fundit, gjë që është pak bindëse për opozitën. “Nuk mundet në një kompani të tillë të mos ketë interes për të hyrë nga kompani të tjera. Kjo është jashtë logjikës elementare ekonomike”, -thonë Bano. Por Vaso Pano, drejtor në Drejtorinë e Privatizimeve Strategjike në Ministrinë e Ekonomisë pohon të kundërtën: “Procesi ka qenë shumë transparent, i hapur me publikun. Çdo produkt i këtij mekanizmi kaq të madh është bërë publik në mediat ndërkombëtare dhe ato të vendit dhe ai që i kundërvihet këtij procesi nuk e njeh ligjin dhe procedurat ligjore”.
Një argument tjetër i kundërshtimit të opozitës është çmimi i ulët sipas saj me të cilin turqit kërkojnë të blejnë ALB-Telekomin. Zoti Bano mendon:” Çmimi është abuziv. Këtë e vërteton p.sh. krahasimi me një shtetet të ngjashëm me tonin siç është Maqedonia. Atje u shit 50% këtu 76%, atje ka 350.000 abonentë këtu 250.000. Krahasimi i çmimit për abonent tregon se në Shqipëri shitja është 5,3 herë më e lirë”. Ndërsa përfaqësuesi i qeverisë Pano mbron idenë se çmimi është real: “Në një ekonomi tregu reale ajo që ka rëndësi është vlera që i ofrohet shitësit nga blerësi”.
Opozita kërkon anulimin e tenderit pasi sipas saj ai përbën grabitje të pasurisë kombëtare, rezultat të korrupsionit në sferat e larta të qeverisë. Por përfaqësuesi i qeverisë thotë se anulimi mund të bëhet vetëm me ligj nga parlamenti. Mandati i tij skadon pas një jave dhe në Shqipëri nuk ka asnjë instancë që të vendosë se kush nga palët ka të drejtë.
ECIKS / DWelle