Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë ka prezantuar skemën e granteve rurale që do të financohen nga BE për zhvillimin rural dhe sektorin e bujqësisë. Bashkimi Evropian gjatë këtij viti do të kontribuojë me 5 milionë euro në 13 projekte, të cilat merren me përpunimin e qumështit, mishit, pemëve dhe perimeve.
Në fjalën e rastit u tha se zhvillimet e deritashme për krijimin dhe forcimin e kapaciteteve administrative dhe zhvillimore janë ndjekur dhe mbështetur në mënyrë aktive nga Komisioni Evropian. Këto zhvillime kanë gëzuar edhe mbështetjen e donatorëve me prioritet zhvillimin e kapaciteteve tregtare dhe prodhuese, për të bërë të mundur arritjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm, të vazhdueshëm dhe afatgjatë.
Përfaqësues të Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian shpjeguan se këto grante do të ndihmojnë në përmirësimin e përpunimit dhe marketingut, në ngritjen e standardeve higjienike, në ngritjen e cilësisë dhe rritjen e sigurisë së ushqimit, etj. “Kjo do të rezultojë me konkurrencë më të lartë në sektorin e bujqësisë, si dhe në rritjen e besimit të konsumatorëve për prodhimet vendore”, theksoi një zyrtar. Bashkëpunimi, korrektësia dhe transparenca e Qeverisë gjithashtu janë vlerësuar.
Bashkimi Evropian që nga viti 1999 ka akorduar rreth 70 milionë euro për bujqësi dhe zhvillim rural në Kosovë dhe kjo skemë e granteve rurale të BE së është pjesë e një programi ekstensiv për ngritjen e standardit jetësor në zonat rurale.
ECIKS / Koha