BE: 200 milion euro më tepër për vendet e Ballkanit

LUKSEMBURG – Zyrtarë të Komisionit Evropian kanë bërë të ditur pas samitit të ministrave të punëve të jashtme të BE-së në Luksemburg që Bashkimi Evropian ka rënë dakord për të shtuar ndihmat për vendet e Ballkanit për 200 milionë Euro, në mënyrë që të lehtësohet anëtarsimi i tyre në BE. Ndihma në fjalë do të implementohet brenda një periudhe trevjeçare, duke filluar nga viti 2004.

Komisioni Evropian pret që vendet e Ballkanit perëndimor, pas konfirmimit të kësaj ndihme, do të bëjnë një angazhim edhe më të madh për reforma. “Ne e kemi seriozisht kur shprehemi se deshirojme anetaresimin tuaj, por ju duhet ta meritoni ate”, beri te ditur nje zyrtar i Komisionit Evropian.

Bashkimi Evropian do të zgjerohet vitin e ardhshëm me dhjetë shtete të reja të ish-bllokut lindor, përderisa Bullgaria dhe Rumania pritet të anëtarësohen më 2007. Për pesë vendet e Ballkanit perëndimor, Shqipërinë, Serbinë dhe Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën, Kroacinë dhe Maqedoninë ende nuk është përcaktuar asnjë afat për anëtarësim.

Ky samit i ministrave të punëve të jashtme të shteteve të BE-së është i fundit para samitit të Selanikut, ku ata do të takohen me krerët e vendeve të Ballkanit perëndimor, përfshirë këtu edhe Kosovën. Në këtë samit, përveç tjerash, pritet të diskutohet ecuria e deritashme e procesit të stablizim-asociimit për këto vende si dhe të diskutohen mundësitë për përfshirjen e Kosovës në këtë proces.

ECIKS (E.SH.)