BB: 15 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri të skajshme

Prishtinë, 27 shtator 2005 – Varfëria në Kosovë ka shtrirje të gjerë, por mund të merren veprime direkte, thuhet në një raport të Bankës Botërore që u prezantua sot në Prishtinë. Vlerësimi i varfërisë nga Banka Botërore thotë se 37 për qind e popullatës janë të klasifikuar si të varfër, kurse 15për qind janë nën linjën e varfërisë së skajshme. Rezultatet e Bankës Botërore janë të bazuara në anketën buxhetore të ekonomive familjare nga Zyra Statistikore e Kosovës.

37 për qind të popullatës të klasifikuar si të varfër jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë. 15 për qind që janë nën linjën e varfërisë së skajshme të ushqimit, jetojnë me 93 cent në ditë. Rezultatet e Bankës Botërore janë të bazuara në anketën buxhetore të ekonomive familjare nga Zyra Statistikore e Kosovës. Zëvendës-kryeministri Adem Salihaj, falënderoi Bankën Botërore për angazhimin dhe tha se Qeveria është duke punuar në zbutjen e varfërisë:

“Fakti se ky raport botohet në kohën kur i kemi intensifikuar përgatitjet tona për hartimin e strategjisë dhe planit të zhvillimit e bën atë më të vlefshëm. Unë jam i sigurt se ai do të shërbejë si një dokument mbi të cilin mund të mbështetet ndërtimi i objektivave tona strategjike si dhe politikat, programet dhe projektet që kanë të bëjnë me reduktimin e varfërisë”.

Edhe shefi i Shtyllës së Katërt të UNMIK-ut, Joachim Ruecker u shpreh se raporti i Bankës Botërore vjen në një moment kyç dhe bëri thirrje për bashkim të forcave, me qëllim të ndërtimit të një plani të mirëfilltë të zhvillimit ekonomik, që do të ndikonte edhe në zbutjen e varfërisë.

Përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovë, Kantan Shankar, kërkoi një përkushtim të fuqishëm nga hartuesit e politikave në qeveri dhe partnerët e tyre ndërkombëtarë, për të zbatuar programet politike që përshpejtojnë një rritje të gjerë dhe kontribuojnë në reduktimin e varfërisë.

ECIKS / Radio Kosova