Bashkëpunimi Ekonomik dhe Investimet në Evropën Juglinore

Isabela Çoçoli / VoA

Uashington, 7 tetor 2006 – Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare këtu në Uashington, në bashkëpunim me Fondacionin për Zhvillimin Ekonomik të Evropës Juglindore dhe Institutin e Teknologjisë së Rochesterit kanë organizuar një konferencë ndërkombëtare me temë “Bashkëpunimi Ekonomik dhe Mundësitë e Investimeve në Evropën Juglindore” për të tërhequr vëmendjen ndaj çështjeve te pazgjidhura të Ballkanit Perëndimor. Organizatorët kanë mbledhur një grup ekspertësh nga fusha të ndryshme, udhëheqës të biznesit nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe rajonit për të diskutuar mbi bashkëpunimin ekonomik dhe mundësitë e investimeve në Evropën Juglindore.

Objektivi i konferencës është përshpejtimi i përpjekjeve të bashkërenduara të sektorëve shtetërore dhe privatë për bashkëpunimin dhe zhvillimin rajonal të Evropës Juglindore.

Janush Bugajski, Drejtor i Projektit të Evropës Juglindore të Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare tha se periudha e stabilizimit në vendet e Ballkanit Perëndimor po i afrohet fundit dhe këto shtete kanë tani përballë sfida të reja në aspektet e rindërtimit ekonomik dhe integrimit euroatlantik. Gjatë dekadës së ardhshme tha ai, këto çështje do të kërkojnë një strategji transatlantike afat-gjatë dhe më gjithëpërfshirëse për tërheqjen e investimeve, nxitjen e ndërmarrjes private, hapjen e vendeve të punës dhe përmirësimin e standardeve të jetesës.

Christopehr Hoh, Drejtor i Zyrës për Evropën Juglindore në Departamentin amerikan të Shtetit tha se në dekadën e fundit rajoni i Ballkanit ka shënuar një përparim të ndjeshëm në spektrin politik, ekonomik dhe ushtarak. Ballkani është një partner strategjik dhe mik i Shteteve të Bashkuara, dhe si i tillë është me shumë rëndësi që ai të bëhet pjesë e një Evrope të Integruar, të lirë dhe paqësore. Zoti Hoh theksoi gjithashtu se Ballkani është një nga partnerët më besnikë të Amerikës në luftën globale kundër terrorizmit.

Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit solli si shembull Shqipërinë si një rast të suksesshëm në fushën e reformës ushtarake. Por ai vuri në dukje se me gjithë arritjet e periudhës së pas-konflikteve të armatosura në Ballkan në një sërë fushash si ato politike, ekonomike dhe ushtarake, mbetet mjaft punë për t’u bërë për sa i përket shtetit ligjor, nëpërmjet zbatimit të normave juridike dhe forcimit të gjyqësorit. Po ashtu me shumë rëndësi, tha zoti Hoh, është realizimi i integrimit rajonal, për ta bërë Ballkanin një zonë të sigurt investimesh. Christopher Hoh i vuri theksin në këtë kuadër luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku janë përfshirë edhe zyrtarë të qeverive.

Nancy Lee, ndihmës nënsekretare e Thesarit tha se është në interesin e zhvillimit të Evropës Juglindore që të liberalizojë dhe stimulojë tregtinë që do t’i shërbente integrimit dhe bashkëpunimit rajonal. Ajo tha se Kosova është një faktor me rëndësi në këtë ekuacion.

“Në qoftë se zgjidhet statusi i Kosovës dhe shqyrtohen pasojat e krimeve të luftës, pas 12 muajsh ne do të shikonim shfaqjen e një Ballkani të ri, një Ballkan me shpirt dinamik afarist, të integruar në rajon dhe në gjithë Evropën”.

Zonja Lee u shpreh me optimizëm për ritmin dhe rezultatet reformave të biznesit në Ballkan.

Edhe Michael Mozur, zëvendës koordinator i posaçëm i Paktit të Stabilitetit vuri në dukje rëndësinë që ka për stabilitetin rajonal procesi për përcaktimin e statusit të Kosovës, ku palët e interesuara, me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, po diskutojnë çështje të vështira si standardet, të drejtat e pakicave, qeverisja lokale, respektimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore të të gjithë qytetarëve.

Më gjerë për rajonin e Ballkanit, zoti Mozur tha se është me rëndësi parësore roli që luan bashkëpunimi rajonal në nxitjen e zhvillimit ekonomik si dhe në inkurajimin e stabilitetit politik. Në përgjigje të kësaj domosdoshmërie, tha më tej zoti Mozur, vendet e rajonit e njohin vlerën e këtij bashkëpunimi nëpërmjet përvojës direkte, veçanërisht në disa nga aspektet e tij kryesore si tregtia, infrastruktura, tërheqja e investimeve, strukturat politike, ku sukseset e vendeve të Evropës Juglindore kanë qenë të dukshme.

Bexhet Pacolli, themelues i Fondacionit për Zhvillimin Ekonomik të Evropës Juglindore, që është edhe një nga organizatorët e konferencës me temë “Bashkëpunimi Ekonomik dhe Mundësitë e Investimeve në Evropën Juglindore”, tha se pavarësia e Kosovës është çelësi i stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal. Kosova tha ai do të jetë një vend demokratik dhe i qytetëruar ku të gjithë qytetarët e saj, pavarësisht nga përkatësia etnike, do të jetojnë në paqe.

Në konferencë folën edhe zëvendës Kryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri dhe Ministri i Industrisë dhe Tregtisë, Bujar Dugolli.

ECIKS / VoA