Prishtinë, 8 tetor 2006 – Nënshkrimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë (MTL) më Kroacinë, edhe pse buxhetit të Kosovës do t’i kushtojë së paku 6.5 milionë euro në vit, prapëseprapë, sipas ekspertëve të ekonomisë, ajo është e rëndësishme pasi që përveç inkurajimit të investitorëve të huaj, pritet të përmirësojë edhe kualitetin e prodhimeve kosovare.
Përparësitë e Kosovës për nënshkrimin e MTL-së me Kroacinë dhe vendet, sipas Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), kanë më tepër përfitime sesa humbje.
Safet Gërxheliu, drejtor i Departamentit për marrëdhënie me jashtë në OEK, tha për KosovaLive se me nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla rritet atraktiviteti i investitorëve të huaj që të investojnë në Kosovë.
“Arsye tjetër është se futet një shpirt garues në prodhimtarinë vendore me arsye që të përmirësohet kualiteti i prodhimeve dhe të arrihen standardet e kërkuara ndërkombëtarisht”, tha Gërxhaliu.
Ndryshe, sipas të dhënave të Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), bilanci tregtar i Kosovës me Kroacinë gjatë vitit 2005 ka qenë deficitar për 24 milionë euro. Kështu, sipas ESK-së, Kosova gjatë vitit 2005 nga Kroacia ka importuar mallra me vlerë rreth 25 milionë euro, kurse ka eksportuar vetëm 882 mijë euro.
Pasi që nënshkrimi i MTL-së parasheh eliminimin e shumicës së barrierave doganore si dhe taksave të tjera, buxheti i Kosovës pas futjes në fuqi të MTL-së me Kroacinë do të humbë rreth 6.5 milionë euro në vit. Kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë nëse në totalin prej 25 milionë eurosh import nga Kroacia ka edhe mallra luksoze, siç janë karburantet, duhani pijet alkoolike etj.
Vetëm gjatë muajit korrik të këtij viti Kosova ka importuar nga Kroacia mallra në vlerë prej 1 milionë e 680 mijë euro. Kosova deri më tash ka nënshkruar Marrëveshje të Tregtisë se Lirë më Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë, ndërsa është në pritje të nënshkrimit të marrëveshjes edhe me Bosnje Hercegovinën.
Mirëpo, Gërxhaliu i arsyeton humbjet në buxhet me përfitimet politike që ka Kosova nga nënshkrimi i marrëveshjeve me vendet e rajonit. Ai konsideron tepër të rëndësishëm nënshkrimin e MTL-së më Kroacinë, pasi sipas tij, për herë të parë Kosova ka nënshkruar një MTL më një vend kandidat për t’iu bashkuar familjes evropiane. Marrëveshjen e Tregtisë se Lirë më Kroacinë, Gërxhaliu e konsideron si një ndër marrëveshjet më të favorshme që ka nënshkruar Kosova deri më tash.
Ai thotë se sipas kësaj marrëveshje, produktet kosovare janë 100 për qind të liruara nga tatimet për të hyrë në tregun kroat, kurse produktet të cilat e cenojnë zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë janë të mbrojtura.
“Produktet kosovare të cilat mbrohen me këtë marrëveshje janë qumështi dhe produktet e tij, konservimi i perimeve kosovare si dhe mbrojtja e interesit të prodhuesve kosovarë të frigoriferëve dhe prodhimeve të tjera”, tha Gërxhaliu.
Ai thotë se më këtë marrëveshje është bërë një balancim me vendet e reja të rajonit.
“Pala kroate ka treguar gatishmëri të madhe, nuk e di a ka qenë në pyetje presioni politik për t’u integruar në CEFTA, apo diçka tjetër, por besoj se për Kosovën një marrëveshje e tillë ka konotacion dhe reputacion shumë të madh politik”, tha ai.
Gërxhaliu thekson se një marrëveshje e tillë është një obligim për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë që të investojnë më tepër në ngritjen e standardeve dhe të kualitetit të produkteve në mënyrë që të jenë konkurrente në vendet e tjera.
Përfaqësuesi i OEK-ut tha se negociatat për nënshkrimin e MTLsë janë bërë në konsultime të plota me përfaqësuesit e biznesit.
ECIKS / KosovaLive