Bankat komerciale që operojnë në Kosovë kanë shënuar profitin më të lartë që nga themelimi i tyre në Kosovë. Gjatë vitit 2011, tetë bankat komerciale që operojnë në tregun financiar të vendit kanë shënuar së bashku mbi 37 milionë euro profit.
Përqindjen më të madhe nga profiti i përgjithshëm i bankave e kanë shënuar “ProCredit Bank” dhe “Raiffeisen Bank”. E para ka shënuar profit prej 16 milionë e 835 mijë eurove, derisa “Raiffeisen” ka shënuar profit prej 12 milionë e 50 mijë eurove. Ky raportim është bërë nga vetë bankat komerciale në Bankën Qendrore të Kosovës. Në krahasim me operimin gjatë vitit 2010, bankat komerciale realizuan rreth 5 milionë euro profit më shumë.
Vlera e përgjithshme e neto e kredive të dhëna nga bankat komerciale e shënuar më 31 dhjetor të vitit 2011 arriti në 1 miliard e 562 milionë euro. Ndërkohë gjatë vitit 2010, vlera e kredive neto e dhënë nga bankat komerciale ishte në vlerën prej 1 miliard e 335 milionë eurosh.Brenda vitit 2011 kreditimi shënoi rritje prej 227 milionë eurove. Krahas ngadalësimit të kreditimit, vlera e depozitave gjatë vitit 2011 u rrit për 100 milionë euro. Tetë bankat që operojnë në vend shënuan gjatë vitit të kaluar 2 miliardë e 97 milionë euro. Gjatë vitit 2010, vlera e përgjithshme e depozitave të klientëve në banka komerciale ishte 1 miliard e 927 milionë euro.
/Telegrafi/