Tiranë, 16 dhjetor 2003 – Banka e Kursimeve vazhdon të humbë peshën e saj në tregun bankar shqiptar. Një pohim i tillë është bërë në raportin e dalë nga mbledhja e radhës së këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë mbi “Vlerësimin e gjendjes financiare të sistemit bankar shqiptar për tremujorin e tretë të vitit 2003”. Sipas këtij raporti, pesha e Bankës së Kursimeve karakterizohet nga një rënie e ndjeshme gjatë viteve për faktin e rritjes së rëndësisë së grupit të bankave private. “Pas vitit 2001, pesha e grupit të bankave private bëhet gjithnjë e më e krahasueshme me peshën e Bankës së Kursimeve. Kjo ngjarje vlerësohet pozitive për sa i përket efektit të përqendrimit të aktivitetit bankar, pasi ky i fundit konsiderohet “pengues” ndaj zhvillimit të konkurrencës së një sistemi”, citohet në këtë raport. Gjithashtu, edhe ndikimi kryesor i bankave private në rritjen e totalit të aktiveve në krahasim me dy tremujorët e parë të vitit dëshmon dhe një herë reduktimin e peshës së Bankës së Kursimeve, ngjarje këto që rrjedhojnë në një sistem bankar më pak të përqendruar.
Depozitat
Tremujori i tretë i këtij viti, ashtu si tremujorët e tjerë të katër viteve të fundit, ka shënuar tkurrjen e radhës të nivelit të depozitave që zotëron Banka e Kursimeve. Prej qershorit të vitit 1999, kur kjo bankë zotëronte rreth 76 për qind të depozitave, sot mund të parashikojmë një nivel afërsisht 50 për qind të tyre. Ndërkohë që nga raporti i këshillit mbikëqyrës mësohet se ndikimin kryesor në rritjen e nivelit të depozitave në këtë tremujor e ka dhënë grupi i bankave private me 9,2 miliardë lekë, përkundrejt Bankës së Kursimeve me 3,3 miliardë lekë dhe grupit të bankave me kapital të përbashkët me 2 miliardë lekë. Por, megjithatë, Banka e Kursimeve vazhdon të evidentojë nivelin më të lartë të depozitave në sistem.
Sipas specialistëve, faktorët që kanë rritur numrin e depozituesve në bankat private në dëm të Bankës së Kursimeve mund të jenë: përpjekja e disa bankave për të ofruar produkte të reja në treg (forma të reja kredish, çeqe, karta pagese etj.). “Faktor tjetër, ndoshta dhe më kryesori, është i lidhur me drejtimin e Bankës së Kursimeve. Tremujorin e fundit janë shtuar veprimet për privatizmin e kësaj banke dhe vëmendja, pothuajse totalisht, është përqendruar në marketingun e saj”.
ECIKS / Biznesi