Banka Botërore ka miratuar kredi në vlerë prej 15 milionë dollarë për sektorin e bujqësisë në Kosovë. Ky projekt përbëhet prej tre komponentëve dhe ka për qëllim të kontribuojë në nxitjen e konkurrencës dhe në zhvillimin e nënsektorëve të blegtorisë dhe hortikulturës, nëpërmjet zbatimit të masave të zgjedhura nga Plani për Zhvillim Rural dhe Bujqësor.
Komponenti i parë synon që nëpërmjet shërbimeve këshillimore të shërbejë në thellimin e njohurive të operatorëve bujqësorë, të ndërmarrjeve komerciale, agropërpunuesve, dhe këshilltarëve komunal, që të bëjnë planifikimin e investimeve në mënyrë më efektive.
Komponenti i dytë do të ofrojë grante për të nxitur rritjen ekonomike dhe konkurrencën në sektorin rural nëpërmjet promovimit të teknologjive të përmirësuara bujqësore si dhe do të mbështesë ngritjen e kapaciteteve të Autoritetit Menaxhues (MA) dhe Njësisë së Pagesave (NjP), të cilat i menaxhojnë programet e granteve të mbështetura nga Qeveria si dhe projektet e propozuara nga donatorët tjerë.
Ndërsa, komponenti i tretë i projektit ka të bëjë me menaxhimin, koordinimin, monitorimin e vlerësimin e projektit dhe në kuadër të MBPZHR-së do të themelohet edhe Njësia e Zbatimit tëProjektit (PIU) për menaxhimin administrativ dhe koordinativ, e cila do të merret edhe me projekte për ndërgjegjësimin e publikut.
Kredia është miratuar me 0% normë interesi dhe me 20 vite periudhë maturimi, ndërsa pagesat për kthimin e mjeteve do të fillojnë pas 10 viteve të para.
ECIKS / Koha