Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës është duke u zhvilluar sipas strategjisë dhe planit të paraparë, ka thënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Në një njoftim për media, kjo ministri ka bërë të ditur se, “për blerjen e 75% të aksioneve të PTK Sh.A, janë kualifikuar Hrvatski Telekom d.d., Kroaci, kompania amë Deutche Telecom, Gjermani dhe Telekom Austria AG, Austri. Procesi i vlerësimit të aplikacioneve është kryer nga një panel profesional i përbërë nga përfaqësuesit e pesë ministrive pjesëmarrëse në Komisionin Qeveritar të Privatizimit (KQP)”.
Tani KQP është duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të shpallur thirrjen për tenderim. “Hapi tjetër në këtë proces është thirrja për propozime, gjegjësisht oferta teknike, ku investitorëve të kualifikuar u ofrohet qasje në tërë dokumentacionin relevant dhe u prezantohet draft marrëveshja për shitblerjen e aksioneve me kufizimet potenciale”.
“Pas kësaj faze, kur të pranohen ofertat e tyre finale, kompanitë ftohen të japin ofertën e tyre financiare, i cili është kriteri i fundit për përcaktimin e tenderuesit fitues”, thuhet në komunikatën për media të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Procesi i privatizimit të PTK-së thuhet se do të përmbyllet deri në fund të këtij viti.
ECIKS / Zeri