B.Beqaj: Kosova, pjesë e tregut të përbashkët

03 shkurt 2004 – Intervistë e z. Besim Beqaj, përfaqësuesi i Kosovës në Paktin e Stabilitetit dhënë Radios Evropa e Lirë

REL: Ka afro dy vjet që Kosova është e përfshirë në kuadër të projekteve rajonale të Paktit të Stabilitetit. Cilat janë rezultatet e deritanishme?

BEQAJ: Në fillim duhet të bëj edhe njëherë të qartë një aspekt të funksionimit të Paktit të Stabilitetit. Pakti i Stabilitetit është iniciativë. Është iniciativë e cila kryesisht ka për qëllim futjen e mekanizmit të bashkëpunimit në mes të vendeve të rajonit. Mekanizëm i cili nuk jep rezultate të menjëhershme, por afatgjata. Nëse flasim për atë që Kosova ka arritur gjatë vitit 2003 që të hyjë në mekanizmin e liberalizimit të tregut në rajon si një ndër vendet me të cilat duhet të nënshkruhet marrëveshja e tregtisë së lirë, ne nuk mund të presim rezultate të menjëhershme nga kjo. Nuk mund të thuhet që atë ditë që nënshkruhet marrëveshja ne i kemi fituar, Kosova i ka fituar kaq milionë. Mirëpo kjo do të thotë që është hapur rruga që Kosova të jetë pjesë e liberalizimit të tregut në rajon dhe ne kemi filluar me një marrëveshje të tregtisë së lirë me Shqipërinë dhe shpresojmë që me ndihmën e Paktit gjatë këtij vitit do t’i realizojmë edhe me Maqedoninë, por edhe me Bosnje Hercegovinën. Kjo është e arritura më e madhe e vitit të kaluar. Përveç kësaj përmes këtij mekanizmi të Paktit të Stabilitetit neve kemi arritur që të jemi nënshkrues të memorandumit multilateral për krijimin e tregut rajonal të energjisë. E arritur tjetër është në fushën e infrastrukturës. Infrastruktura si e tillë nuk mund të ketë rezultate të menjëhershme se një rrugë nuk mund të ndërtohet brenda një muaji apo brenda një viti. Në Evropën Juglindore egziston një strategji. Orientimisht deri në vitin 2015 duhet të përfundohet një rrjet i rrugëve rajonale. Punë tjetër e cila është bërë; ju e dini që problemet kufitare në rajon janë të theksuara. S’ka lëvizje të lirë të punëtorëve, s’ka lëvizje të lirë të mallrave, ka probleme doganore, procedura shumë të komplikuara, korrupsion nëpër dogana, pritje të gjata; qëllimi i këtyre iniciativave është që të diskutohen procedurat e këtyre kalimeve kufitare. Këto janë disa forma të bashkëpunimit të cilat ne kemi menduar dhe ende mendojmë t’i plasojmë edhe më tutje.

REL: Këto ditë zoti Erhard Busek gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë përmendi dhe çështjen e huave ndërkombëtare për Kosovën. Në çfarë mënyre mund të marrë Kosova kredi duke pasur parasysh se ato u lejohen kryesisht vetëm shteteve?

BEQAJ: Për huazime afatgjata Kosova ende nuk është e kualifikuar për arsye të statusit. Mirëpo huazimet afatgjata mund të bëhen përmes projekteve konkrete. Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me UNMIK-un, me shtyllën e katërt ka formuar një grup, i cili do të merret me strategji ekonomike dhe identifikim të projekteve, të cilat pastaj do të paraqiten për huazime afatgjatë. Deri tani ky grup ka patur disa takime dhe kryesisht është investuar energji në përgatitjen e bazës ligjore për t’i lejuar Kosovës për të hyrë në huazimet afatgjata. Aspekti ligjor tani është në fazën kur projektligji është përgatitur për huazime afatgjata. Në momentin e aprovimit të këtij ligji, ne atëhere do të hyjmë në përgatitjen e marrëveshjeve bilaterale me institucionet financiare ndërkombëtare. Deri më tani disa prej institucioneve kanë paraqitur një gadishmëri fillestare për të huazuar mjete për Kosovën siç janë Banka Evropiane për Investime, BERZH-i etj, dhe ata kërkojnë që huazimi të bëhet në bazë të projekteve.

REL: Sa projekte janë paraqitur deri më tani të cilat mund të presin huazime afatgjata nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare?

BEQAJ: Ne fillimisht kemi projektin për aeroportin i cili është paraqitur nga AKM-ja. Gjithashtu nga AKM-ja ka ardhur një kërkesë për Trepçen, për riaktivizimin e Trepçes, ka për KEK-un, edhe aty në mënyrë të qartë është theksuar lidhja e Kosovës me linjën 400 kv me Shqipërinë, meqënëse projektin e fizibilitetit tani vetëm Banka Botërore e ka në proces punimi. Këto projekte janë bazë dhe ne na japin mundësinë që kryesisht të hyjmë në marrëdhënie kontraktuese me institucionet ndërkombëtare.

REL: Gjithashtu janë përmendur disa herë projekte të ndryshme për infrastrukturën rrugore. Cilat janë përfitimet e Kosovës në kuadër të këtyre projekteve?

BEQAJ: Kosova do të jetë nënshkruese. REBIS është një projekt i financuar nga Komisioni Evropian. Është një projekt që kap shumën 1.5 miliard euro, dhe nga tërë kjo strukturë e përgjithshme, në fushën e krijimit të rrjetit rajonal të rrugëve, Kosova mund të përfitojë diku deri 218 milion euro për infrastrukturën rrugore brenda përbrenda Kosovës.

REL: E përmendët më parë përçuesin 400 kv ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Sa do të ndihmonte ky projekt në stabilizimin e gjendjes me furnizimin me rrymë?

BEQAJ: Kjo na ndihmon jashtëzakonisht shumë për arsye se ne kemi nevojë shumë të madhe për energji në periudhën e dimrit, kur Shqipëria ka tepricë ndoshta për shkak të ujrave të cilat grumbullohen gjatë dimrit, ndërsa ne kemi tepricë të energjisë gjatë verës dhe nuk kemi ku ta plasojmë në rrjet dhe do të ishte shkëmbim i energjisë një me një. Në kushte kur ne kemi nevojë shumë të madhe për energji kembejmë energji 1 kw me 2,5 kw.

ECIKS / Radio Evropa e Lirë