Tiranë, 3 shkurt 2004 – Fitimi i sistemit bankar në fund te vitit 2003, rezultoi me 4.5 miliard lekë, bënë të ditur burime te Bankës së Shqipërisë. Guvernatori i BSH, Shkëlqim Cani, theksoi në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikqyrës të BSH, se sistemi bankar paraqitet i shëndoshë në aspektin e rezultateve finaciare dhe dinamik në aspektin e zgjerimit të konkurrencës. Sipas Canit, viti 2003 shënoi zgjerimin e komunitetit të bankave tregtare edhe me dy banka të tjera dhe hapjen e 14 degëve bankare në rrethe të ndryshme të vendit. “Të gjitha këto tregojnë për një rritje të konkurrencës në sistem, e cila gjithsesi nuk ka prekur aftësinë e sistemit për të gjeneruar rezultate financiare pozitive”, theksoi Guvenatori Cani. Fitimi i sistemit bankar arriti në 4.5 miliardë lekë në vitin 2003, kundrejt 3.9 miliardëve në vitin 2002. Sipas Guvernatorit, fundi i vitit 2003 shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të reformave në sistemin financiar të vendit. Pas disa përpjekjesh rrjesht, në muajin Dhjetor 2003, theksoi Cani, u bë e mundur shitja e 100 për qind të aksioneve të Bankës së Kursimeve, bankës austriake Raifeissen Zentral Bank, shitje e cila do te ndikoje në zgjerimin e gamës së produkteve financiare të ofruara në treg, në rritjen e konkurencës në tregun bankar dhe në rritjen e kreditimit të ekonomisë në një periudhë afatmesme.
ECIKS / News24