Autostrada varet nga ligji për shpronësime

Prishtinë, 9 janar — “Fillimi i ndërtimit të autostradës Merdar-Morin, përveç mungesës se mjeteve, në masë të madhe varet edhe nga shpejtësia e miratimit të Ligjit për shpronësimin dhe kompensimi e pronarëve të tokave, nëpër të cilat do të kalojë kjo rrugë,” tha ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Qemajl Ahmeti.

Ai para kryeministrit Çeku tha se përveç mungesës se mjeteve financiare për vënien në jetë të këtij projekti, të gjitha punët përgatitore rreth ndërtimit të autostradës Merdar-Morin kanë përfunduar. Por, kryeministri Çeku tha se në këtë projekt janë kryer shumë punë, mirëpo, sipas tij, kanë mbetur edhe disa gjera pa përfunduar, siç është shpallja e brezit të autostradës si zonë e interesit nacional dhe shpronësimi dhe kompensimi i pronarëve të tokave nga do të kalojë autostrada. Lidhur me këtë problematikë, ministri Ahmeti tha se Kuvendi i Kosovës së shpejti do të miratojë Ligjin për shpronësimet, nga të cilat do të përcaktohet categoria e rrugëve dhe do të përcaktohet vlera.

Ahmeti tha se Ministria të cilën ai e drejton, është duke i bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi i shpronësimit dhe kompensimit të përfundojë me sukses. Një nga investitorët e projektit më të madh rrugor të Kosovës mund të jetë edhe Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës (PTK), e cila është interesuar të investojë një pjesë të ekstraprofitit të saj. Ministri Ahmeti tha se në kuadër të projektit të ashtuquajtur privat-publik, një gjë e tillë i ofrohet edhe PTK-së. Sa u përket projekteve të këtij viti, ministri Ahmeti tha se gjatë vitit 2007 pritet të ndërtohen 24 kilometra rrugë magjistrale, 124 kilometra rrugë regjionale si dhe në bashkëpunim me kuvendet komunale do të ndërtohen rreth 150 kilometra rrugë lokale.

Kryeministri Agim Çeku tha se këtë vit, buxheti i MTPT-së është rritur dhe se, sipas tij, nga shuma e përgjithshme e buxhetit të kësaj ministrie, 24 milionë euro do të investohen në projekte kapitale. Kryeministri Çeku kërkoi nga ministri Ahmeti që të punojnë shumë në mënyrë që të përfundojnë më sukses shpalljen e tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile, projekt ky që pritet të përfundojë gjatë muajit mars të këtij viti.

ECIKS / EXPRESS