Ndërtimi i autostradës duhet të fillojë këtë vit

Prishtinë, 9 janar 2007 – Ndërtimi i autostradës Prishtinë-Durrës duhet të fillojë këtë vit, është mesazhi që i dha sot kryeministri Agim Çeku anëtarit të kabinetit të tij, Qemajl Ahmetit, ministrit të Transportit dhe Telekomunikacionit. Kryeministri po ashtu i kërkoi ministrit që megjithë kompetencat e kufizuara që ka, procesi i licencimit të operatorit të dytë të telefonisë mobile të përfundojë me sukses. Sipas Çekut, kjo ministri ka të destinuara 24 milionë euro për investime nga më pak se 36 milionë euro sa peshon buxheti i saj. Por, Çeku gjithashtu i sugjeroi ministrit Ahmeti që buxhet i ministrisë të shfrytëzohet sipas parashikimeve. Ndërsa, sa i përket gjetjes së burimeve financiare për projekte të mëdha si ai për autostradën tha se në muajin mars do të organizohet një konferencë e donatorëve dhe financimi do të bëhet sipas parimit publiko-privat. “Ky është një projekt nacional, janë duke u kryer shumë punë në këtë projekt, ndërsa kanë mbetur edhe disa çështje si shpallja e brezit të autostradës si zonë e interesit nacional, shpronësimi i pronave dhe kompenzimi i pronarëve”, tha Çeku. Ndërsa, ministri Ahmeti theksoi se sa u përket shpronësimeve ato nuk do të mund të bëhen derisa Kuvendi nuk e miraton një ligj të atillë, i cili aktualisht është në shqyrtim të dytë. Sipas Ahmetit, poashtu një pjesë e financimit të autostradës do të mund të bëhet edhe nga Postëtelekomi i Kosovës në kuadër të projekteve të përbashkëta. Kryeministri Çeku kërkoi nga ministri Ahmeti që të përfundohet me sukses dhe transparencë ligjore procesi i licencimit të operatorit të dytë të telefonisë mobile, që pritet të përmbyllet me 17 janar. Ahmeti tha se gjatë vitit 2007 edhe 124 km rrugë regjionale do të asfaltohen dhe do të hapen, ndërsa në bashkëpunim me komunat do të ndërtohen edhe 150 km rrugë lokale.

ECIKS / QIK