Autorizohet hapja e tenderit për shitjen e aksioneve të PTK-së

Komisioni Qeveritar i Privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës ka dhënë autorizimin në mbledhjen e mbajtur të martën për hapjen e tenderit për shitjen e 75 % të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje publike.

Vendimi i këtij komisioni për hapjen e tenderit për shitjen e PTK-së është marrë 11 ditë më vonë sesa planifikimi dhe data e përcaktuar si finale në marrëveshjen me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Na bazë të vendimit Ministria e Zhvillimit Ekonomik obligohet që të hapë procedurat për këtë tender dhe të caktohen afatet për dorëzimin e ofertave të kompanive të kualifikuara.

“Pjesë të dokumenteve tenderuese të miratuara sot nga KQP janë udhëzimet për tenderuesit, drafti i marrëveshjes së shitblerjes dhe drafti i marrëveshjes së aksionarëve të ardhshëm në PTK”, thuhet në vendimin e Komisionit Qeveritar të Privatizimit.

Në bazë të këtyre dokumenteve të miratuara nga KQP-ja, kompanitë e parakualifikuara ftohen të bëjnë shqyrtimet e tyre analitike dhe të marrin pjesë në garë për blerjen e 75 % të aksioneve të PTK-së.

/Koha/