Arkëtimet e KESH do t'i mbledhë sektori privat

TIRANË, 15 GUSHT 2003 – Mospagimi i faturave të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve nuk do të anashkalohet edhe për shumë kohë. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) së shpejti do të shesë sektorin e shpërndarjes te disa kompani private, të cilat do të mbledhin arkëtimet e energjisë elektrike për llogari të saj.

Bazuar në Strategjinë Kombëtare të Energjisë, KESH-i duhet të privatizohet pas vitit 2005, por kjo kompani, për shkak të arkëtimeve të ulëta në disa qytete, kërkon të shesë shërbimin e mbledhjes së arkëtimeve të energjisë. Drejtori i Përgjithshëm i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Andis Harasani, pohon eksluzivisht për gazetën “Shekulli” se një nga projektet e kësaj kompanie është shitja e shërbimit të mbledhjes së parave nga konsumatorët në zonat problematike. “Në bazë të legjislacionit shqiptar, faturimi i energjisë është një shërbim, ndërkohë që ekziston edhe një ligj që lejon shitjen e shërbimeve”,- pohon Harsani. Sipas tij, KESH-i mund t’i drejtohet sektorit privat të mbledhë paratë e energjisë së konsumuar, duke paguar ndërkohë një komision për këtë shërbim.

Korporata Elektroenergjitike Shqiptare pothuajse ka përfunduar projektin e shitjes së sektorit të shpërndarjes (është diskutuar në nivel teorik) dhe aktualisht janë duke u parë mundësitë e zbatimit në praktikë. Harasani shpjegon se brenda muajit shtator ky projekt do të dërgohet në Këshillin Ndërministror të Energjisë për të marrë mendim dhe më pas do të jetë më e lehtë për t’u miratuar. “Logjika është të krijohen kompani për mbledhjen e parave dhe dalëngadalë këtyre kompanive t’u jepet sa më shumë dorë edhe për investime, me qëllim që të jenë të gatshme, në një të ardhme të afërt, të privatizojnë sektorin e shpërndarjes në vendint tonë”,- tha kreu i KESH-it. Ai pohon se kjo është forma më logjike për privatizimin e sektorit të shpërndarjes, sepse për vetë kushtet ku ndodhet vendi ynë, eksperienca, tregu dhe risqet që mbart ky sektor, është e vështirë që investitorët e mëdhenj të vijnë në Shqipëri. “Ajo që unë do të kërkoja do të ishte që vetëm qyteti i Shkodrës të kishte 30 deri në 40 kontrata të privatëve, sepse është shumë e vështirë që një kompani e vetme të marrë përsipër mbledhjen 100 për qind të parave të energjisë së kosnumuar”,- shpjegon Harasani. Projekti Fillimisht ky projekt do të shtrihet në zonat ku edhe pagimi i faturave të energjisë është në nivele më të ulëta. “Ne do të punojmë për ta zbatuar sa më shpejt këtë projekt, sepse unë e shikoj si zgjidhje”,- pohon drejtori i KESH-it. Ai sqaron: “Një kompani private do të mbledhë më shumë para në Shkodër sesa KESH-i, sepse kjo është një luftë me mentalitetin, është luftë ndaj mospagimit të energjisë elektrike”. Harasani mendon se faturimi i energjisë elektrike nga kompani private do të jetë më eficent se vetë KESH-i. “Mua më vjen shumë keq që politikanë të caktuar shkojnë në Shkodër dhe thonë se ju prodhoni 95 për qind të energjisë, por nuk keni energji”,- shprehet ai. Harasani shprehet për “Shekullin”: “Ta prodhosh energjinë nuk do të thotë do ta konsumosh pa e paguar atë”. Privatizimi Shitja e shërbimi të mbledhjes së parave të energjisë së konsumuar është një zgjidhje për arkëtimin e energjisë, sidomos në zonat problematike të vendit. Strategjia e sektorit të energjisë elektrike parashikon ristrukturimin e këtij sektori deri në vitin 2005, si dhe rritjen e energjisë deri në koston e saj, me qëllim forcimin e kompanisë financiarisht dhe më pas privatizimin e saj. “Strategjia e sektorit të energjisë parashikon privatizimin e KESH-it në vitin 2005, por ne do të mundohemi të gjejmë forma të ndërmjetme, në mënyrë të tillë që në vitin 2005 procesi i privatizimit të jetë më i lehtë”,- pohon Harasani. Sipas tij, një nga format është shitja e shërbimit të mbledhjes së parave.

“Mbledhja e arkëtimeve nga një shoqëri private është më efektive, sepse në Shqipëri është vërtetuar se njerëzit besojnë më shumë në sektorin privat; ai është më fleksibël dhe më eficent se shteti”,- pohon Harasani.

Brenda muajit shtator ky projekt do të dërgohet në Këshillin Ndërministror të Energjisë, për të marrë mendim dhe, më pas, për t’u miratuar. KESH-i pothuajse ka përfunduar projektin e shitjes së sektorit të shpërndarjes (është diskutuar në nivel teorik) dhe po shikohen mundësitë e zbatimit në praktikë.

ECIKS / Shekulli