TIRANË, 16 GUSHT 2003 – Në Bankën e Kursimeve depozitat në euro janë më të larta se ato në dollarë. Valuta evropiane gjatë dy viteve të fundit është më e preferueshme për klientët, për arsye se edhe shkëmbimet tregtare janë në nivele më të larta me shtetet e Bashkimit Evropian. Në depozitat me afat dhe pa afat në euro në fund të qershorit 2003 rezultojnë 85.4 milionë euro, ndërkohë që ato në dollarë janë 57.4 milionë dollarë. Gjatë muajit qershor 2003, depozitat në dollarë kanë pasur një rritje mujore prej 2.3 milionë dollarë, duke arritur në rreth 57.4 milionë dollarë, nga 55.1 milionë dollarë që ishin në fund të muajit maj 2003. Nga këto lloj depozitash pjesa më e madhe (44.133 milionë dollarë) janë në depozitat me afat.
Po sipas burimeve në bankën shtetërore të nivelit të dytë, depozitat në euro gjatë qershorit janë rritur me rreth 42 mijë euro, krahasuar me muajin maj, duke arritur në 85.451 milionë euro, nga 85.408 milionë, që ishin më parë.
Gjithashtu, në këtë bankë, gjatë qershorit 2003, rezultojnë të depozituara edhe 388 mijë franga zviceriane (nga të cilat 218 mijë janë në depozitat me afat) dhe 82 mijë stërlina angleze, të cilat janë të gjitha në depozitat pa afat. Sipas burimeve të mësipërme në Bankën e Kursimeve, në fund të qershorit 2003 depozitat në lekë të saj arritën në rreth 144.294 miliardë.
ECIKS / Shekulli