ARB mbyll vitin e parë të punës

Prishtinë, 17 mars 2004 – Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, e cila është në varësi të Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë, shënoi të hënën njëvjetorin e punës për regjistrimin dhe riregjistrimin e bizneseve.

Haxhi Rama, drejtor i Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, tha gjatë një konference për media se gjatë një viti kjo agjenci ka përmbyllur punën të cilën e bënte administrata e UNMIK-ut dhe njësia për regjistrimin e bizneseve deri në mars të vitit 2003.

Rama tha se deri më tani biznese të reja dhe të riregjistruara janë mbi 29 mijë, ndërsa biznese të shuara për shkaqe të ndryshme janë 823.

Sipas tij, agjencia ka punuar në mënyrë shumë korrekte dhe në pajtim me dispozitat ligjore në fuqi.

Ali Jakupi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë, tha se deri më tani kishte keqkuptime me komunat lidhur me punën e agjencisë, por pjesa dërrmuese e çështjeve janë sqaruar.

Jakupi tha se në këtë agjenci edhe më tutje do të vazhdojë regjistrimi i bizneseve.

Drejtuesit e agjencisë thanë se procesi i aplikimit për regjistrim të bizneseve do të jetë i mundshëm deri në fund të muajit maj, kur edhe do të bëhet harmonizimi i bazës së të dhënave me Administratën Tatimore lidhur me bizneset aktive të cilat ushtrojnë veprimtarinë dhe janë obligues tatimor.

Pronarët e bizneseve nëse nuk aplikojnë me kohë për riregjistrimin e bizneseve të tyre janë të detyruar që përveç shumës prej 5 euro për riregjistrim të bizneseve individuale të paguajnë edhe dënimin prej 120 eurosh.

Agjencia ka paraparë që tani më nuk do të ketë dy apo më shumë biznese të regjistruara me të njëjtin emër, kështu që aplikimet për rezervimin e emrit tregtar për një periudhë trevjeçare do të pranohen vetëm deri më 30 qershor.

Zyra për regjistrimin e bizneseve është e autorizuar që të regjistrojë ndërmarrjet individuale, ortakëritë e përgjithshme, shoqëritë aksionere, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, ortakëritë e kufizuara, kompanitë e huaja, si dhe emrat tregtarë për secilën ndërmarrje.

Përderisa në vendet perëndimore mesatarja e ditëve të procesimit fillon prej 5 deri në 16 ditë, në këtë agjenci procesimi bëhet mesatarisht për një ditë, duke falënderuar Bankën Botërore për financimin e projektit për blerjen e pajisjeve elektronike për regjistrimin e bizneseve.

ECIKS/Biznesi