Anglezët auditojnë Bursën e Tiranës

Tiranë, 25 nëntor 2003 – Bursa e Tiranës i është nënshtruar këto ditë një konsulence të huaj ndërkombëtare, e cila ka për synim hartimin e një plani të qartë biznesi për fillimin e aktivitetit të saj. Drejtori i Bursës së Tiranës Elvin Meka pohoi se, që prej mesit të nëntorit, në ambientet e Bursës janë ekspertët e GMA, një kompani konsulese angleze për tregjet e kapitaleve. Specialistët e saj do të studiojnë për 8 muaj bazën ligjore dhe rregullatore të tregut të kapitaleve në vendin tonë dhe gjithashtu do të shohin nga afër kushtet që mundësojne aktivizimin e këtij tregu. Projekti konsiston në hartimin e strategjisë së zhvillimit të Bursës së Tiranës nëpërmjet një plani strategjik duke përfshirë këtu edhe një plan financiar për vetë BT. Për realizimin e këtij programi ekspertët kanë marrë parasysh kërkesat e Bursës së Tiranës si dhe të grupeve të ndryshme të interesit. Njëkohësisht ata po studiojnë ambientin social, ekonomik, politik dhe teknologjik ku tenton të operojë Bursa.

Në fund të misionit 9 mujor konsulenca e huaj do të perpilojë një plan biznesi, i cili pritet të gjejë zbatim gjatë aktivitetit të ardhshëm të tregut të kapitaleve në vendin tonë. Bursa e Tiranës për herë të parë i nënshtrohet një asistence të tillë. Kostoja e saj është rreth 150 mijë dollarë, që është akorduar nga Banka Botërore si pjesë nga kredia për zhvillimin e institucioneve financiare në vend. Sakaq, drejtori Meka thotë se, gjatë muajve të fundit ndihet një frymë interesimi në rritje e biznesit vendas, lidhur me tregun e letrave me vlerë dhe në veçanti për Bursën e Tiranës. Sipas tij, ky është pikërisht momenti kur bizneset e konsoliduara në tregun vendas, ndiejnë nevojën reale për financime të mëdha, pasi ata tashmë kërkojnë të jenë më konkurrues në treg. Interesim serioz për procedurat e listimit mësohet të kenë bërë deri tani 5 kompani të mëdha të biznesit vendas. Por, deri në momentin e plotë të listimit duhet ende kohe, ka pohuar Meka.

ECIKS / Korrieri