Së shpejti pritet qëndrimi i UNMIK-ut për privatizimin

Prishtinë, 25 nëntor 2003 – Një zëdhënës i UNMIK-ut në Prishtinë tha se gjatë javës së ardhshme pritet një qëndrim i administratës ndërkombëtare lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë. Administrata e OKB-së në Kosovë mendon se Kuvendi i Kosovës mund të miratojë çfarëdo ligjesh, por ato nuk mund të jenë të plotfuqishme pa miratimin e përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë. Kështu ka deklaruar zëdhënësi i UNMIK-ut në Prishtinë Kristian Lindmajer, duke komentuar kërkesën e kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi që Kuvendi i Kosovës të shpallë të pavlefshme tri ligje të miratuara pas 22 marsit të vitit 1989, të cilat aktualisht janë pengesa kryesore për rrjedhën normale të procesit të privatizimit në Kosovë.

Ai tha se vendimi për qëndrimin e UNMIK-ut lidhur me këtë çështje mund të dihet vetëm javën e ardhshme, mirëpo të gjithë e dimë shumë mirë se kompetencat e Kuvendit të Kosovës janë nën ato të përfaqësusit special të Sekretarit të Përgjithshëm, tha zëdhënësi Lindmajer.

ECIKS / QIK