Ali Sadriu: 'PTK ka suficit më të madh se qeveria'

Prishtinë, 10 mars 2004 – Ali Sadriu tha se suficiti në Kosovë po mbetet për shkak se qeveria nuk ka të drejtë të emetojë para dhe letra me vlerë dhe nuk ka mundësi për huazime publike.

Posta dhe Telekomi i Kosovës ka një suficit shumë më të madh se qeveria, që nuk është në funksion të zhvillimit të Telekomit dhe as në funksion të zhvillimit të Kosovës në përgjithësi. Kështu tha të hënën Ali Sadriu, ministër i Ekonomisë dhe Financave, në një tryezë të rrumbullakët, në të cilën u debatua çështja e suficitit. Ditë më parë MEF është akuzuar se është duke fshehur shumën e suficitit të buxhetit nga viti i kaluar. Sipas zyrtarëve të kësaj ministrie, mbetja buxhetore më 31 dhjetor të vitit 2003 ishte 332 milionë euro, mirëpo shumica e këtyre mjeteve janë të zotuara dhe nuk mund të llogariten si suficit. Ai tha se është paradoksale suficiti, por në rrethanat që gjendet Kosova pa të drejtë të emetimit të parave, letrave me vlerë dhe huazimeve publike, patjetër që do të ketë suficit. Sipas tij, suficiti dhe proceset e tjera buxhetore do të jenë transparente dhe do të mbërrijnë në mënyrë adekuate deri te qytetari i fundit, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën. “Suficiti saktësisht do të dihet pas 31 marsit, por sigurisht që do të jetë shifra prej 75 milionë eurosh, e cila është publikuar”, – tha ai. Sadriu pohoi se akuzat për fshehjen e suficitit janë të pabaza dhe ata nuk kanë interes që ta bëjnë këtë. “Ne kemi këshilltarë ndërkombëtarë të përfshirë në të gjitha shtresat”, – tha ai. Po ashtu MEF-i planifikon të hartojë një kornizë afatmesme zhvillimore me qëllim të avancimit të politikave zhvillimore. Sipas MEF-it, institucionet e Kosovës nuk i ushtrojnë përgjegjësitë me rëndësi, siç janë politika fiskale, politika monetare dhe procesi i privatizimit, derisa sipas Kornizës Kushtetuese, PSSP-ja mban përgjegjësi finale për parametrat e zhvillimit ekonomik dhe kjo është edhe pengesë për një strategji të mirëfilltë.

ECIKS / Biznesi