AKM akuzohet se po ndikohet nga Beogradi

Prishtinë, 11 mars 2004 – Drejtori i Institutit “Riinvest”, Muhamet Mustafa, tha se AKM nuk duhet ta konsiderojë veten të gjithëpushtetshme dhe të vetëmjaftueshme. Përfaqësuesit e institucioneve kosovare, shoqëria civile dhe ekspertët e pavarur akuzuan të martën Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit (AKM) se po ndikohet nga Beogradi zyrtar lidhur me menaxhimin e procesit të privatizimit në Kosovë.
Muhamet Mustafa, drejtor i Institutit “Riinvest”, tha se qëndrimet e qeverisë së Serbisë në njëfarë mënyre po reflektohen në procedurat e reja të privatizimit, të cilat janë hartuar nga AKM-ja.

Mustafa i bëri komente gjatë një tryeze të organizuar nga “Riinvesti” lidhur me çështjen e privatizimit në Kosovë.
Mendim gati të ngjashëm me drejtuesin e “Riinvestit” kishte edhe Ali Jakupi, ministër i Tregtisë dhe Industrisë dhe anëtar i qeverisë në bordin e AKM-së.

“Me ndikimin që bën Beogradi në procesin e privatizimit do të largohen të gjithë investitorët e brendshëm dhe të jashtëm”, – tha Jakupi.

Ministri i Tregtisë, duke folur në emrin e tij personal, tha se zgjidhja e vetme për procesin e privatizimit do të ishte ndërrimi komplet i bordit të AKM-së. Ai nuk dha shpjegime se nga kush do të duhej të përbëhej në të ardhmen ky bord.

Javën e kaluar Harri Holkeri, pa pëlqimin e qeverisë dhe bordit të AKM-së, ka autorizuar shefin e Shtyllës IV të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorff, që të nënshkruajë 11 kontratat për shitjen e ndërmarrjeve nga raundi i dytë, që të vazhdojë me raundin e tretë të privatizimit, si dhe të fillojë përgatitjen e draftit për ndryshimin e procedurave të privatizimit. Këto vendime ende nuk janë konkretizuar.
Privatizimi në Kosovë është bllokuar më 5 tetor të vitit të kaluar me një vendim të Nikolaus Lambsdorff, i cili ka shkaktuar thyerje të mëdha midis administratës ndërkombëtare dhe qeverisë.

Muhamet Mustafa tha se ndërprerja e procesit të privatizimit ka dërguar sinjale dekurajuese te investitorët potencialë dhe në përgjithësi e ka dëmtuar imazhin e Kosovës.

“Transparenca e AKM-së ndaj parlamentit, donatorëve dhe sidomos opinionit, ndonëse ishte proklamuar si parim kyç i punës së AKM-së ishte në nivel tejet të ulët”, – tha ai dhe shtoi se AKM dhe UNMIK-u nuk kanë ndërtuar qëndrim të qartë për t’u mbrojtur nga paditë serbe për privatizimin.
“AKM nuk duhet ta konsiderojë veten të gjithëpushtetshme dhe të vetëmjaftueshme”, – tha Mustafa.

Ahmet Shala, zëvendësdrejtor i AKM-së, gjatë tryezës së sotme përcolli propozimet e drejtoreshës së AKM-së Mari Fucci-t për ndryshimin e procedurave të privatizimit të cilat janë në dikutim. Shumica e këtyre propozimeve janë bërë prej kohësh publike nga mediat.

Esenca e këtyre propozimeve ishte transferimi i të gjitha obligimeve të ndërmarrjes shoqërore në ndërmarrjen e re.
Që nga ardhja e Lambsdorff dhe Fucci-it në krye të AKM-së, para 6 muajsh, procesi i privatizmit nuk ka lëvizur asnjë hap përpara, ndërsa kundërthëniet midis ndërkombëtarëve dhe vendorëve sa vijnë dhe thellohen.

ECIKS/Biznesi