Privatizimi: nënshkruhen 12 kontrata të shitjes

Prishtinë, 11 mars 2004 – Me autorizimin e kryeadministratorit Harri Holkeri dhe pa pëlqimin e Bordit të AKM-së, shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorff nënshkroi të martën kontratat për shitjen e 12 ndërmarrjeve shoqërore nga raundi i dytë i privatizimit.
Kontratat për shitjen e 17 ndërmarrjeve shoqërore ishte paralajmëruar se do të nënshkruhen shumë kohë më parë, mirëpo për shkak të bllokimit të procesit të privatizimit, nga vetë kreu i AKM-së Lambsdorff, ato kanë pritur deri më tani.

Sipas UNMIK-ut, në bazë të rekomandimeve të PSSP-së, kryetari i Bordit të AKM-së, Nikolaus Lambsdorff, ratifikoi sot kontratat për shitjen e 12 ndërmarrjeve shoqërore nga raundi i dytë i procesit të privatizimit.

Me nënshkrimin e këtyre kontratave, numri i ndërmarrjeve të privatizuara arrin në 16.

Kontratat për shitjen e këtyre ndërmarrjeve janë aprovuar me vendim të bordit të AKM-së më 16 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo është dashur që ato të ratifikohen edhe një herë nga bordi.

Harri Holkeri veçoi këtë vendim si një sinjal pozitiv dhe një gatishmëri për ta çuar procesin përpara. PSSP përgëzoi fituesit e tenderave të 12 ndërmarrjeve.

Harri Holkeri, pa pëlqimin e qeverisë dhe bordit të AKM-së, ka autorizuar shefin e Shtyllës IV të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorff, që të nënshkruajë 12 kontratat për shitjen e ndërmarrjeve nga raundi i dytë, që të vazhdojë me raundin e tretë të privatizimit, si dhe të fillojë përgatitjen e draftit për ndryshimin e procedurave të privatizimit.
Vendimi i Holkerit erdhi pasi AKM në krye me Lambsdorff-in dhe Mari Fucci-n në 7 muajt e fundit nuk kanë mund të merren vesh për asgjë me qeverinë rreth procesit të privatizimit.

ECIKS/Biznesi