Albtelekom në 2004 ristarton privatizimin

Tiranë, 29 dhjetor 2003 – Albtelekom ristarton procesin e privatizimit në 6-mujorin e parë të vitit 2004. Ministri i Ekonomisë, Arben Malaj dje në një konferencë për shtyp ka deklaruar se viti 2004 do të cilësohet si viti i privatizimeve strategjike. “Albtelekom, ARMO, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare, “Servcom”, Aeroporti i Rinasit, ujësjellësat dhe hotel “Tirana” do të nisin procesin e privatizimit”, -pohon Malaj. Kështu, qeveria shqiptare pas privatizimit të 40 për qind të aksioneve të kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG dhe pas shitjes së 100 për qind të aksioneve të Bankës së Kursimeve, kërkon që të shesë edhe sektorët e tjerë strategjikë. Ministri Malaj ka deklaruar se “gjatë këtij viti është përgatitur paketa për ritestimin e tregut të telekomunikacioneve, me qëllim që të vijohet më pas me privatizimin dhe dhënien e licencës së operatorit të tretë celular shoqërisë Albtelekom”.

Me sa duket qeveria shqiptare këtë vit do t’i mbajë shpresat për privatizimin e kompanisë fikse të telefonisë celulare, e cila është duke kaluar momente të vështira. Edhe sipas vetë ministrit të Transporteve, Spartak Poçi, Albtelekom, nga kompania e parë e telefonisë është kthyer në kompaninë e tretë, duke humbur gjithmonë e më shumë terren. Shkak për mosprivatizimin e Albtelekomit herën e parë, ishin borxhet e mëdha që kjo shoqëri u kishte kompanive ndërkombëtare, por edhe dy kompanive të telefonisë celulare, “Albania Mobile Communication” dhe “Vodafone Albania”. Burime zyrtare pranë Albtelekomit, pohojnë se brenda këtij viti ose fillimit të vitit të ardhshëm, kompania do të shlyejë borxhet e vjetra. Albtelekom përveç fillimit të procesit të privatizimit brenda 6-muajve të parë të këtij viti, kjo kompani gjatë kësaj periudhe do të hedhë në treg edhe operatorin e tretë të telefonisë celulare. “Borxhet nuk do të vështirësojnë hedhjen në treg të operatorit të tretë celular që i është besuar Albtelekomit”, -pohojnë burime zyrtare. Sipas tyre, Albtelekom është duke punuar për shlyerjen e borxheve ndërkombëtare që shteti shqiptar ka marrë gjatë periudhës 1989-1992. “Mendojmë që brenda këtij viti, borxhi prej 14.5 milionë dollarësh do të shlyhet plotësisht”, -shprehen për gazetën “Shekulli” burime pranë Albtelekomit. Drejtuesit e këtij institucioni sqarojnë se borxhet që ka kompania e telefonisë fikse nuk do të ndikojnë aspak në hedhjen në treg të operatorit të ri të telefonisë celulare në vend, por as në procesin e privatizimit.

ECIKS / Shekulli