AKM nis privatizimin e tokave bujqësore

Prishtinë, 20 gusht 2004 – Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) ka vendosur që në kuadër të raundit të tretë, të privatizojë më shumë se një mijë hektarë tokë bujqësore, që u përkasin tri ish-kooperativave bujqësore në Pejë, Ferizaj dhe Shtimje. Kjo është hera e parë që në këtë proces privatizohet toka bujqësore.

Në kuadër të procesit të privatizimit në këtë seri, do të privatizohet “Bujqësia” në Zahaq të Pejës me 591 hektarë të tokës së punueshme me kualitet mesatar. “Plantacioni” në komunën e Ferizajt me 176 hektarë dhe “Plantacioni” në komunën e Shtimjes me 287 hektarë. Këto të fundit janë plantacionet e vjetra të mollëve dhe dardhave me sistem të ujitjes dhe vendndodhje shumë të mirë afër qyteteve të Ferizajt dhe Shtimjes.

Ofertuesit e rinj, sipas AKM-së, duhet të regjistrohen deri më 8 shtator pranë zyrës së AKM-së. Sipas këtyre të fundit, agrobiznesmenët e interesuar mund të blejnë të drejtën për shfrytëzim 99-vjeçar të tokës së këtyre fermave të mëdha me kushte të favorshme.

Siç thuhet, ofertuesit duhet të bëjnë një pagesë të vetme për të drejtën e shfrytëzimit të tokës dhe pastaj toka do të transferohet te fituesi. Më pas të njëjtën tokë, blerësi ka të drejtë t’ia shes dikujt tjetër, t’ia japë me qira, të bartë të drejtën tek trashëgimtarët dhe ta përdorë atë si peng gjatë marrjes së huasë për investime afariste.

ECIKS / Biznesi