AKM fton biznesmenët të marrin pjesë në privatizim

Prishtinë, 1 shtator 2004 – Drejtuesit e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit ftuan sot të gjithë të interesuarit që të konkurrojnë në valën e tretë të privatizimit, e cila përfshinë 19 ndërmarrje shoqërore. Në një takim me rreth 150 afaristë dhe biznesmenë në Prishtinë, drejtuesit e AKM-së thanë se data e parakualifikimit të ofertave është 8 shtatori, ndërsa shpallja e ofertave fituese do të bëhet me 15 shtator.

Zv.drejtori i AKM-së Ahmet Shala, shfaqi shpresën se besimi i investitorëve vendorë dhe ndërkombëtarë do të kthehet, ndërsa AKM-ja do të punojë me ritëm më të shpejtë dhe për çdo muaj të përgatisë ndërmarrje të reja për privatizim. Në këtë raund do të privatizohen 19 ndërmarrje shoqërore, tri nga të cilat do të privatizohen përmes spin-offit special, çka nënkupton se AKM-ja mundet të caktojë shkallën e punësimit, angazhimet e investitorëve dhe vazhdimin e veprimtarisë së njëjtë. Në fazat e ardhshme AKM-ja do të ofrojë për shitje edhe gjigantët si Ferronikeli, birrarinë e Pejës, Sharr-cimentoren, minierat e Trepçës, hotelin Grand, ndërsa në listën e ndërmarrjeve që do të privatizohen deri në qershor të vitit të ardhshëm janë rreth 500 ndërmarrje tjera.

ECIKS / RTK