FMN do të vazhdojë të mbështesë Kosovën

Prishtinë, 03 shtator 2004 – Fondi Monetar Ndërkombëtar do të vazhdojë të mbështesë autoritetet në Kosovë në fushën e çështjeve fiskale, u tha pas takimit që Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ali Sadriu, zhvilloi me kryesuesin e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Mark Auboin. Me ndihmën e kryesuesit të FMN-së, do t’i avancojmë proceset në Kosovë, sidomos sa i takon shtrirjes së tregtisë drejt tregut evropian, tha Ministri Sadriu pas takimit, ku ishte i pranishëm edhe kryesuesi i deritatshëm i këtij Fondi, Shehada Hysein.

Pas një takimi njohës, Ministri i ekonomisë dhe financave, Ali Sadriu, tha se me kryesuesin e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Mark Auboin, do të vazhdojnë bashkëpunimin për avancimin e shumë proceseve në Kosovë. Ministri Sadriu u shpreh se është fat që në Kosovë vjen një person me një bagazh të madh të njohurive për fushën e tregtisë së lirë, pasi problemet e kësaj natyre janë mjaft të pranishme në Kosovë. “Shpresoj që me ndihmën e z. Mark do të arrijmë që disa nga proceset t’i shtyejmë në mënyrë të avancuar, mendoj në trajtimin e Kosovës si një territor i tregëtisë së lirë”. Shefi i ri i zyrës së Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Mark Auboin nuk u prononcua për media. Ndërkaq, shefi i deritashëm i kësaj zyreje Shehada Hysein, tha se në vazhdën e bashkëpunimit me institucionet e përkohëshme të vetëqeverisjes, edhe me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave kanë pasur marrëdhënie shumë të mira. Hysein pohoi se me Ministrin Sadriu kanë punuar për përmirësimin e procesit buxhetor si dhe për të përshpejtuar dhe vazhduar më tutje procesin e privatizimit. Kryesuesi i zyrës së Fondit Monetar ndërkombëtar në Kosovë më parë ka punuar në Organizatën Botërore të Tregtisë, në Komisionin Evropian dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

ECIKS / RTK