350 kompani marrin pjesë në panairin “Expokos 2010”

Mbi 350 ekspozues të kompanive të ndryshme prodhuese nga 20 vende të ndryshme të botës, po marrin pjesë në edicionin e nëntë të Panairit ndërkombëtar të ndërtimtarisë, energjetikës, teknikës dhe mobilierisë “Expokos 2010”.

Pjesëmarrës në panair prijnë kompanitë e huaja, të cilat i kanë përfaqësitë e tyre nëpër Kosovë.

Me rastin e hapjes së panairit, drejtori i Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK), Mustafë Hasani, tha se institucioni të cilin ai drejton është i gatshëm të përkrahë të gjitha organizimet e panaireve vendore dhe ndërkombëtare.

Ai tha se APIK-u ofron të gjitha informacionet për investitorët e mundshëm dhe për zgjerimin e tregjeve të kompanive vendore.

“Ne jemi kujdesur që një stendë e jona të ofrojë të gjitha informacionet për investitorët e mundshëm, në ofrimin e shërbimeve tona për zgjerimin e tregjeve të tyre. Ndërsa për kompanitë vendore ofrojmë të gjitha informacionet për hulumtim të tregjeve dhe përkrahjes, ngritjes, dizajnit, kualitetit të paketimit, me kusht që produktet tona të plasohen jashtë vendit”, ka thënë Hasani.

Panairi “Expokos 2010” konsiderohet ndër panairet më të rëndësishme në Kosovë, si për nga numri i kompanive pjesëmarrëse, ashtu edhe për nga numri i madh i shteteve prej nga vijnë këto kompani.

ECIKS