Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Kosovës dhe Ministria gjermane për Bashkëpunim Ekonomik, nënshkruan në Prishtinë një memorandum bashkëpunimi, i cili i hap rrugë realizimit të projekteve gjermane për Kosovën.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe Friedrike Kärcher, përfaqësuese e Ministrisë gjermane për Bashkëpunim Ekonomik.
Ministri Shala tha se ky ishte nënshkrim i përmbylljes së një faze të negociatave dhe fillimi i përgatitjes për negociatat me qeverinë gjermane, për marrjen e granteve të reja dhe kredive të mundshme, për financimin e projekteve zhvillimore në Republikën e Kosovës.
Zëvendësambasadori gjerman në Kosovë, Eckart Blanrock, tha se fillimi i këtyre bisedimeve, tregon bashkëpunimin e mirë që kemi me Kosovën si dhe zotimin e qeverisë gjermane për të përkrahur Kosovën më tutje.
Ndërsa, Frederike Karcher, u shpreh se këto ishin bisedime shumë pozitive dhe të suksesshme që do të shërbejnë si përgatitje për negociatat ndërqeveritare që priten të mbahen në vjeshtë.
Ajo më tej shtoi se me Qeverinë e Kosovës do të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e kadastrës, me qëllim që të krijohet një ambient atraktiv për investitorët.
ECIKS