300 milionë euro në vit nga diaspora

PRISHTINË, 19 DHJETOR – Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës harxhojnë më shumë se 317 milionë euro brenda një viti në vendlindje, 170 milionë prej tyre i japin para të gatshme, ndërsa mallra dhe shërbime të tjera 22 milionë, kurse në turizëm 125 milionë euro. Këto shifra janë bërë të ditura të martën në tryezën “Diskutimi lidhur me diasporën dhe politikat e integrimit”, të organizuar nga “Forumi 2015”, ku janë paraqitur të dhëna mbi diasporën kosovare dhe rëndësinë e saj në zhvillimin e ekonomik dhe shoqëror të vendit. Organizatorët e këtij forumi kanë prezantuar raportin “Diaspora dhe politika e migrimit”, i cili ka të bëjë me krijimin e politikave të përshtatshme në lidhje me emigracionin dhe statusin e diasporës. Pjesëmarrësit e debatit vlerësuan se nëpërmjet politikave të mirëfillta, diaspora kosovare mund të kontribuojë në mënyrë efikase në ngritjen e kapitalit njerëzor dhe financiar, në rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës në Kosovë.

Sipas drejtorit të institutit “Riinvest”, Muhamet Mustafa, qëllimi i këtij studimi ka qenë të dalin në pah kontributet që janë dhënë nga diaspora, të adresohen hallet e tyre dhe të krijohet një bazë e mirëfilltë analitike për krijimin e politikave të emigracionit në të ardhmen.

Në raportin e forumit rekomandohet se është e domosdoshme të bëhen përmirësime dhe programe konkrete të përqendruara në pritjen më të mirë të emigranteve, si dhe menjëherë pasi të zgjidhet statusi i Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale të bëjë marrëveshje me vendet e BE-së, për të siguruar përfshirje adekuate të Kosovës në kuotat për emigrim dhe punësim të organizuar. Sipas raportit, shumica e emigrantëve kosovarë jetojnë në Gjermani 39%, Zvicër jetojnë 23%, Itali 6-7%, po ashtu edhe në Austri 6-7%, në Britani të Madhe dhe Suedi nga 4-5%, në SHBA dhe në Francë 3-5 %, ndërsa më se paku në Kanada dhe në Kroaci nga 2% e numrit të përgjithshëm të diasporës kosovare. Ndonëse në hulumtim thuhet se diaspora kosovare për një vit në Kosovë në forma të ndryshme investon mbi 37 milionë euro, megjithatë, vlerësohet se gjatë dy-tri viteve të fundit, niveli i të hyrave ka shënuar një rënie të vogël.

“Emigrantët janë shprehur të zhgënjyer me trajtimin e tyre nga institucionet e Kosovës”, thuhet në raport, ku përmenden problemet e diasporës në marrjen e dokumenteve të udhëtimit si dhe mungesën e shkollimit të fëmijëve të tyre në gjuhën amtare.

Petrit Gashi, nga “Rinvest”, ka thënë se diaspora kosovare është burim i rëndësishëm i investimeve, dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në të ardhmen në zvogëlimin e numrit të të papunëve si dhe uljen e varfërisë në Kosovë.

Sipas të dhënave të disa organizatave, niveli i varfërisë së skajshme në Kosovë është 14%, kurse mbi 40% e popullatës konsiderohet e varfër.

Edhe në këtë raport vërehet një interesim i të rinjve të Kosovës për të emigruar në shtete e huaja, ku rreth 49,8% ose gjysma e grup moshës 20-35 vjeçe kanë tendencë për emigrim. Shkak për këtë interesim kaq të madh për të lëshuar Kosovën, sipas hulumtimit, janë kushtet e vështira ekonomike dhe pamundësia për të gjetur një vend të punës në vendlindje. Në këtë tryezë i është bërë thirrje qeverisë së re e cila pritet të formohet, se me problemin e emigrimit duhet të merren seriozisht, kurse është propozuar që në kryeministri të jetë zyra për emigrantët, në mënyrë që me këtë punë të merren institucionet më seriozisht se sa janë marrë tani.

Ky studim i bërë nga instituti për politika dhe zhvillim “Riinvest”, është i pari që merret me studimin e problematikës së qytetarëve që kanë emigruar që nga pas lufta. Ky studim kishte filluar të realizohet në vitin e kaluar, kurse në të janë emigrantët që kanë ardhur në
vendlindje dhe familjet kosovare që kanë ndonjë familjarë që jetojnë jashtë shtetit

Marrë nga Koha Ditore