PRISHTINË, 19 DHJETOR – Nuk janë vetëm institucionet kosovare ato që duhet të përgatiten për integrim në Bashkimin Evropian, një gjë të tillë duhet ta bëjë edhe komuniteti i biznesit, i cili ka shumë kushte që duhet t’i plotësojë në mënyrë që të jetë në gjendje të futet në tregun evropian. Për këtë arsye Oda Ekonomike e Kosovës ka organizuar të martën një seminar, i cili ka për qëllim informimin e komunitetit të biznesit me standardet dhe legjislacionin evropian në fushën e ekonomisë.
Në këtë seminar u bë e ditur se Kosova përveçse duhet të përmbushë kriteret politike dhe ato të drejtësisë, janë edhe kushtet ekonomike me qëllim të krijimit të kushteve për zhvillim ekonomik, politika antikorrupsion, konkurrencë të drejtë para se të bëhet pjesë e familjes evropiane. Disa nga kërkesat që duhet plotësuar Kosova janë: përfundimi i procesit të privatizimit, korporatizimi i ndërmarrjeve publike, bashkëpunimi me Fondin Monetar Ndërkombëtar, korniza ligjore dhe praktika ekonomike në vijë me BE-në, ligji mbi pronën intelektuale etj. Kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj, tha se duke e parë planin e veprimit për integrim evropian, kanë vendosur që edhe Oda Ekonomike të hapë një zyrë për integrim evropian që ta bëjnë përgatitjen e komunitetit të biznesit për të hyrë në BE. “Ne duhet ta bëjmë të vetëdijshëm biznesin për sfidat që e presin gjatë procesit të integrimit evropian”, tha Beqaj.
Në këtë seminar u prezantua Kosova në procesin e stabilizimasociimit, ku ajo është e përfshirë nëpërmjet një mekanizimi përcjellës i krijuar posaçërisht për Kosovën që të mos mbetet jashtë procesit të integrimit karshi vendeve të tjera të rajonit. Pjesëmarrësit thanë se korniza e qartë për përfshirje në BE është sigurimi i zbatimit të ligjit, zhvillimi i ekonomisë përmbajtësore, konkurruese etj.
“Çfarëdo që të jetë statusi i ardhshëm i Kosovës, e ardhmja e saj është në Evropë. Samiti i Selanikut e ka konfirmuar këtë të ardhme për Kosovën”, u tha në prezetimin e këtij seminari. Ekspertja Laura Trevisan, nga qendra për shërbime edhe dokumentacion për bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar INFORMEST, foli për legjislacionin e BE-së dhe përmbushjen e tij nga vendet potenciale për t’u integruar.
“Vendet kandidate për t’u integruar në Bashkimin Evropian duhet të kenë kapacitetet menaxhuese, institucione me standarde evropiane, administratë publike stabile të pavarur, sistem funksional gjyqësor…”, tha Trevisan. Ajo shtoi se përgatitjet për integrim nuk duhet t’i bëjë vetëm qeveria, por edhe komuniteti i biznesit. “Me rëndësi të veçantë është aftësia e biznesit që të adaptojë rregullat e BE-së, të ketë kapacitete konkurruese, në mënyrë që të përfitojë nga tregu evropian”, tha Trevisan. Ajo e bëri të qartë se produkti që futet në tregun e Bashkimit Evropian duhet të ketë certifikim specifik sipas standardeve evropiane. Ndërkohë komuniteti i biznesit duhet të paraqesë auditim teknologjik dhe të standardeve të ambientit.
Marrë nga Koha Ditore