Në rast bllokade, Serbia humb 200 milionë euro

PRISHTINË, 19 DHJETOR 2007 – Vendimi i Serbisë për mbylljen e pikave kufitare me Kosovën, nuk do të shkaktonte probleme të mëdha për ekonominë e Kosovës në aspektin e furnizimit, pasi që shumica e tregtisë është e njëkahshme nga ky vend, por shumica e humbjeve do të barteshin nga prodhuesit dhe ekonomia serbe.

Këto vlerësime janë bërë nga Instituti për Studime të Avancuara “GAP”, në një analizë të publikuar të martën, me qëllim të informimit të vendimmarrësve dhe qytetarëve të Kosovës mbi gjendjen e tanishme të marrëdhënies ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në fushën e ekonomisë, si edhe pasojave eventuale në qoftë se veprime të tilla ndërmerren nga Qeveria e Serbisë. Drejtori i këtij instituti, Shpend Ahmeti, thekson se prodhuesit serbë do të humbin të hyra nga shitjet, në një shumë prej 200 milionë eurosh në vit, derisa humbjet nga të hyrat në kufi do të ishin minimale, pasi që mallrat që kanë origjinë nga Serbia nuk paguajnë doganë. Megjithatë ai nuk përjashton mundësinë që të paraqiten vështirësi, për të cilat Qeveria e Kosovës dhe komuniteti i biznesit duhet të planifikojnë dhe t’i kalojnë me masa specifike. “Storiet e bllokadës shkaktojnë panik të panevojshëm te publiku, duke krijuar mungesa të rrejshme të furnizimit me produkte të caktuara, që mund të shkaktojë rritje të çmimeve. Autoritetet duhet të komunikojnë me publikun për planet e adresimit të pengesave afatshkurtra për të tejkaluar shkaqet e panikut”, ka pohuar Ahmeti.

Vlera totale e mallrave që kanë kaluar në kufirin Kosovë- Serbi për periudhën janar – tetor 2007, sipas kësaj analize, ka arritur në 445 milionë euro, nga të cilat vlera e mallrave që kanë origjinë nga Serbia është 181 milionë euro, apo 41 për qind e vlerës totale. Përbërja e mallrave që vijnë nga shtetet e tjera përmes Serbisë tregojnë se shumica e këtyre janë mallra jostrategjike, të cilat mund të vijnë me rrugë të tjera në qoftë se kufijtë mbyllen për periudha më të gjata. “Shumica e mallrave që kanë origjinën në shtetet e tjera dhe që kalojnë përmes Serbisë vijnë nga shtetet e BE-së (Gjermania, Sllovenia, etj.), por përfshijnë edhe shtetet e tjera. Këtu përfshihen mallrat elektronike, automjetet, dhe mallrat ushqimore…Këto produkte nuk janë produkte jetike, megjithatë, në qoftë se rrugët e tjera nuk planifikohen, rritje afatshkurtër të çmimeve mund të
ketë”, thuhet në publikimin e GAP-it.

Lidhur me këtë, ky institut rekomandon që importuesit transit përmes Serbisë të lajmërohen mbi mbylljen potenciale të kufirit, që do të mënjanonte panikun, i cili do të mund të shkaktohej në qoftë kjo bllokadë vjen si surprizë. Ndërkaq i rekomandohet Qeverisë që të flasë me shtetet e tjera fqinje në lidhje me lehtësimin e kanaleve të tjera të transportimit, si dhe të rrisë kapacitetin e vendkalimeve të tjera kufitare për të proceduar rritjen e tregtisë. Megjithëse shumica e mallrave janë të zëvendësueshëm, Ahmeti thotë se janë disa produkte, si drithërat, për të cilat autoritetet kosovare kanë nevojë për më shumë planifikim.

“Gruri është produkt strategjik. Vlerësimet e konsumit në Kosovë tregojnë që ne kemi nevojë të importojmë një pjesë të konsumit tonë. Këto importe momentalisht vijnë nga Serbia dhe bllokada mund të krijojë mungesë të grurit në periudhën afatshkurtër. Rezervat në Kosovë do të mbulonin kërkesën për disa muaj”, thekson Ahmeti. Ai u rekomandon autoriteteve vendimmarrëse të diskutojnë me industrinë mundësi të tjera importi, në qoftë se bllokada vazhdon për disa muaj.

Në pjesë e furnizimit parashihet se mund të mbulohet në vend, pasi që, sipas të dhënave, në mullinjtë e prodhuesve vendorë ekzistojnë rreth 80 mijë tonë grurë, por kërkohet që edhe Qeveria të përgatisë plane rezervë për grurin në qoftë se furnizimi i tregut nuk mund të mbulojë kërkesën, pa e subvencionuar atë. Një burim efektiv potencial parashihet që importuesit e grurit në mënyrë të organizuar së bashku me ndihmën e Qeverisë të blejnë grurë në sasi më të mëdha nga tregjet botërore. Rreziku i bllokadës eventuale të kufirit, sipas të dhënave të këtij instituti, paraqitet te misri, si produkt strategjik për ushqim të kafshëve. Mungesa e misrit do të shkaktonte mungesë të ushqimit të kafshëve, dhe do të rriste çmimet e qumështit, mishit dhe vezëve, që konsiderohen produkte themelore ushqimore. Për këtë, furnizuesit e këtij produkti kanë deklaruar se tashmë kanë gjetur rrugë të tjera për import, andaj GAP-i u rekomandon autoriteteve qeveritare që ta lehtësojnë procesin e importit të misrit.

Ndërkaq zyrtarët e Shërbimit Doganor të Kosovës shprehen të gatshëm për çfarëdolloj bllokade eventuale, për të cilën thonë se kanë hartuar planin operacional, të cilit do t’i përmbahen. Shefi i Departamentit të përmbushjes në SHDK, Ardian Jasharaj, thotë se në rast se Serbia bllokon pikat doganore që lidhen me Kosovën, ata do të vënë në funksion një numër më të madh të oficerëve doganorë në pikat e tjera, në të cilat pritet të shtohet sasia e importit. Gjithashtu, Dogana do të angazhojë ekipet e saj mobile që të bëjnë kontroll më të rreptë në kufirin me Serbinë, në mënyrë që të evitojnë mundësinë e kontrabandimit të mallrave.

“SHDK-ja është e përgatitur për çdo rast dhe tashmë kemi hartuar planin operacional nëse ndodh bllokada e Serbisë ndaj Kosovës”, thekson Jasharaj.

Marrë nga Koha Ditore