Më shumë se 300 biznese nga 8 shtete të ndryshme, po marrin pjesë në Forumin e parë ndërkombëtar ekonomik në Prishtinë. Takimet B2B mes ndërmarrësve të këtyre vendeve, po bëhen për të parë nga afër mundësitë se përse duhet investuar në Kosovë dhe cilat janë përparësitë e investimeve të huaja.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, tha se sistemi i taksave të Kosovës, është joshë për investitor. “Kosova ofron sistem të taksave tepër të ulët dhe ndër më të favorshmet në rajon, TVSH-ja me 16 %është më e ulëta në rajon, ndërsa taksa për eksport janë zero. Në Kosovë tatimi në të ardhura dhe në korporata është vetëm 10 për qind, regjistrimi i biznesit bëhet brenda ditës”, theksoi Shahini.T
Ndërsa ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se janë tepër të përkushtuar që agjenda zhvillimore të jetë mbizotëruese. “Jemi orientuar drejt praktikave ekonomike afatgjata, siç janë prodhimi dhe eksporti, për zvogëlimin e papunësisë dhe për stimulimin e talentit vendor, gjithmonë duke pasur parasysh rendësinë e bashkëpunimit ndërshtetërorë dhe atij rajonal. Besojmë fuqishëm në partneritetin tonë mes ndërmarrjeve tona dhe atyre rajonale, dhe në mes të ndërmarrjeve tona dhe atyre edhe më larg”, tha ajo.
Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë Valon Saraçini, tha se Maqedonia dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira politike e ekonomike, por që duhet punuar së bashku për të thithur investime sa më shumë. “Të gjitha vendet e rajonit duhet të kemi parasysh se duhet të kemi një bashkëpunim rajonal, duhet të punojmë së bashku për të thithur investime rajonale në shumë sfera dhe besoj se në këtë mënyrë mund të ngelemi imun nga kriza që është prezentë në eurozonë. Përveç bashkëpunimit në mes të institucioneve në mes të dy vendeve, duhet të ketë bashkëpunim edhe në mes të odave ekonomike në mes të vendeve të rajonit”, theksoi Saraçini.
Ndërsa, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka tha se ka klimë të favorshme për të investuar në Kosovë. Sipas tij, Shqipëria vitet e fundit është në vendin e parë si investuese në Kosovë.
Forumi i parë ndërkombëtar ekonomik në Prishtinë, po mbahet me moton “Kosova shtet i artë për investime”.
/Kosovapress/Telegrafi/