120 milionë USD për termocentralin e Vlorës

VLORË, 20 NËNTOR 2003 – Banka Botërore vendos përfundimisht dhënien e 120 milionë dollarëve për ndërtimin e fazës së parë të termocentralit të Vlorës. Lëshimi i këtij financimi ka ardhur pas përmirësimit të nivelit të humbjeve dhe arkëtimeve, si dhe pas përmirësimit të situatës elektroenergjitike.
Kështu ka deklaruar dje shefi i Bankës Botërore për Europën Juglindore, Iftikar Khalil dhe përfaqësues të Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim gjatë një takimi që kanë zhvilluar me ministrin e Industrisë dhe Energjitikës, Viktor Doda.
Khalil është shprehur se: “janë realizuar targetet e vëna nga donatorët e huaj, duke shënuar një ulje maksimale të nivelit të humbjeve në masën 39.2 për qind dhe rritur nivelin e arkëtimeve në masën 92.2 për qind”.

Mjaft financime të Bankës Botërore dhe organizmave të tjera ndërkombëtare janë shtyrë disa herë për shkak të mosrealizimit të nivelit të planifikuar të arkëtimeve dhe humbjeve në rrjet. “Menaxhimi i mirë i situatës elektroenergjitike ka shmangur krizën e furnizimit me energji, ka sjellë uljen e importit dhe rritjen e prodhimit të energjisë në vend, duke ulur në mënyrë drastike subvencionet e buxhetit të shtetit për importin e energjisë elektrike”, -është shprehur Khalil.

Sipas tij, situata energjitike në vendin tonë është përmirësuar ndjeshëm, duke ndikuar në rritjen e nivelit të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, si dhe ruajtjen e nivelit optimal të liqenit të Fierzës në kaskadën e Drinit. Ndërkohë që për tre muaj e fundit të vitit 2003 me prokurim të drejtpërdrejtë është siguruar energjia elektrike, e nevojshme kjo për të përballuar furnizimin e konsumatorëve. Burime pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës pohojnë se përfaqësuesit e Bankës Botërore kanë vlerësuar zbatimin e Dokumentit të Politikave Energjitike dhe Strategjinë Kombëtare të Energjisë. Përfaqësuesi i Bankës Botërore, Khalil, i mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Bankës Europiane të Investimeve (BEI) dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke parë situatën e përmirësuar elektroenergjitike, realizimin e targeteve, si edhe shëndoshjen e financave të Korporatës Elektroenergjtike Shqiptare kanë garantuar se financimet e Bankës Botërore për sistemin elektroenergjitik do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. “Mbështetja më e fuqishme e Bankës Botërore, BEI-it dhe BERZH-it është ndërtimi i TEC-it të ri në Vlorë, ku pritet që nga muaji janar dhe deri në mars të përfundojnë negociatat për fillimin e punës në fazën e parë prej 135 MEGA”, -pohojnë burime zyrtare pranë Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës. Ndërkohë që Khalil ka deklaruar se Banka Botërore ka vendosur përfundimisht dhënien e 120 milionë dollarëve për fazën e parë të TEC-it të Vlorës me kapacitet 135 MEGA.

ECIKS/ SHEKULLI