Prishtinë, 1 qershor 2004 – Qeveria do të ndajë nga buxheti shumën prej 11 milionë eurosh për sanimin e dëmeve të shkaktuara gjatë trazirave të marsit në Kosovë. Kjo është vendosur gjatë takimit të sotëm ndërmjet ministrave Ali Sadriu dhe Behxhet Brajshori, me shefen e zyrës së UNMIK-ut për kthim, Pegi Hiks. Ministri i ekonomisë dhe financave Ali Sadriu, tha se në takim që është në vazhdën e shumë takimeve me këtë zyrë, është biseduar pikërisht për përpjekjet e qeverisë për sanimin e dëmeve dhe kthimin e të zhvendosurve.
Në takim është biseduar për mënyrën e implementimit të programit të rindërtimit.Qeveria do të mbajë zotimin e vet për të siguruar mjetet e nevojshme, tha kryetari i komisionit qeveritar për riparimin e dëmeve, Behxhet Brajshori.
Sa i përket vlerësimit të dëmeve të objekteve të kultit, qeveria do të marrë vendime të reja, në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, pohoi Brajshori.
Megjithëse qeveria ka pasur shumë projekte të cilat do të financoheshin nga mjetet e suficitit buxhetor, Këshilli Ekonomik Fiskal shumën më të madhe të mjeteve e ka ndarë për KEK-un. Ky vendim sipas ministrit Sadriu ka qenë tepër joparimor dhe qeverinë e ka vënë përpara sfidave të mëdha, theksoi ministri Sadriu.
Mjetet prej 11 milionësh do të ndahen pas rishikimit gjashtëmujor të buxhetit, si dhe nga një grant i Bankës Botërore për zhvillimin institucional të Kosovës në shumë prej 4 milionë e 300 mijë dhe do të shihen edhe burime tjera, tha ministri Sadriu. Dëmet e shkaktuara gjatë të trazirave të marsit fillimisht janë vlerësuar 5 milion euro.
ECIKS / R. Kosova