Zgjidhen 10 ndërmarrjet më të mira të vitit në Kosovë

Prishtinë, 22 qershor 2004 – Kriteret në bazë të të cilave janë zgjedhur këto ndërmarrje si më të suksesshme ishin: veprimtaria e tyre, statusi ligjor, madhësia e ndërmarrjes, investimet, eksporti, tregu i lëndës së parë, detyrimet ndaj administratës tatimore dhe qarkullimi vjetor.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përmes projektit “Ndërmarrja e vitit 2004 në Kosovë”, nga 54 ndërmarrje konkurrente të premten zgjodhi 10 ndërmarrjet më të suksesshme në Kosovë. Ndërmarrjet më të suksesshme që u zgjodhën janë: “Abi dhe Elif 19” nga Prizreni, “Agroprodukt – Commerc” nga Besiana, “Devolli Company” nga Peja, “Eksimori” nga Gjilani, “Lesna” nga Fushë Kosova, “Dukagjini” nga Peja, “Fetoshi” nga Rahoveci, “Frutti” nga Prizreni, “Renova” nga Kaçaniku dhe “Graniti” nga Peja Burimi.

Kriteret në bazë të të cilave janë zgjedhë këto ndërmarrje si më të suksesshme ishin: veprimtaria e tyre, statusi ligjor, madhësia e ndërmarrjes, investimet, eksporti, tregu i lëndës së parë, detyrimet ndaj administratës tatimore dhe qarkullimi vjetor. Qëllimi i këtij projekti është që të mbështeten bizneset aktive, zhvillimi i ambientit miqësor ndaj biznesit, inkurajimi i rritjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, qëndrueshmëria e konkurrimit dhe zgjerimi i bazës së konkurrentëve më të ri. Ali Jakupi, ministër i MTI-së, tha se përmes projekteve të tilla dëshirohet të rriten mundësitë e zhvillimit të bizneseve në Kosovë dhe të ndikohet në zhvillimin e politikave adekuate për biznes. “Ndërmarrjet konkurruese janë ato që do t’i nxisin edhe të tjerët që të merren me biznes, të ushtrojnë veprimtari të ndryshme dhe të punësojnë edhe punëtorë të rinj”, – tha Jakupi. Naser Grajçevci, drejtor i Departamentit të Zhvillimit të Sektorit Privat, tha se në Kosovë ekziston një mangësi serioze për sa i përket hapjes së rrugës së projekteve për stimulimin e bizneseve, por pikërisht ky projekt synon të inkurajojë bizneset duke stimuluar aktivitetin e tyre afarist.

Në fund të vitit 2004 përmes një prezantimi publik, nga këto dhjetë ndërmarrje do të zgjidhet ndërmarrja më e suksesshme e vitit.

ECIKS / Biznesi