Vlerësohet i suksesshëm sektori bankar

Prishtinë, 28 qershor 2007 – “Sektori bankar, në Kosovë , është njëri ndër sektorët më të suksesshëm në Kosovën e pasluftës”, tha drejtori menaxhues i Autoritetit Qendror Bankar të Kosovës Michael Svetchine. Ai këto komente i bëri gjatë konferencës se rregulltë me gazetarë të Shtyllës IV të UNMIK-ut.

Michel Svetchine prezantoi sot broshurën e botuar nga AQBK-ja, të quajtur “Zhvillimi i sektorit financiar stabil, të sigurt137 dhe konkurrues”. Svetchine tha se statusi i ardhshëm politik, Kosovën do ta gjej me një sistem bankar e financiar të përgatitur, të qëndrueshëm dhe të bazuar në legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Ndërkaq, duke folur për vështirësitë me të cilat po përballet sistemi bankar si tërësi, e në veçanti Banka Qendrore, Svetchine përmendi mbylljen e Bankës Kreditore të Prishtinës (BKP) dhe keqpërdorimet që janë bërë në Bankën Private të Biznesit nga ish menaxhmenti i kësaj banke. Si vështirësi tjetër e AQK është edhe funksionimi i disa degëve të bankave serbe në Kosovë.

Svetchine tha se BQK-ja, deri me tash i ka dhënë një para licencë për të vepruar në Kosovë vetëm bankës serbe “Komercialna Banka”,që aktivitetin është duke e zhvilluar vetëm në Mitrovicë. Gjithashtu Svetchine tha se edhe Banka Kombëtare Tregtare nga Shqipëria ka marrë një paraleje për të zhvilluar veprimtari në Kosovë.Sa i përket fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, Svetchine tha se pjesa me e madhe e këtij fondi po investohet në vendet e BE-së, pasi sipas tij, në Kosovë nuk ekzistojnë instrumente të cilat do të garantonin kthimin e këtij fondi nëse eventualisht ai ishte investuar në ndonjë projekt.

ECIKS / RTK