Lansohet Agjencia Kosovare për NVM

Prishtinë, 28 qershor 2007 – Numri i bizneseve të regjistruara në Kosovë është në rritje të vazhdueshme, gjë që tregon zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të vendit. Kështu ka thënë ministri i Tregtisë e Industrisë, Bujar Dugolli, në konferencën e lansimit publik të Agjencisë Kosovare për Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme, me pjesëmarrje edhe të përfaqësuesve të ministrive ose agjencive për mbështetje të ndërmarrjeve nga vendet rajonale.

Konferenca i kishte dy objektiva, lansimin në publik të projekteve që po i bën Agjencia për ndërmarrje të vogla e të mesme, e cila vepron në kuadër të MTI-së si dhe diskutimin me përfaqësuesit e ministrive ose agjencive për mbështetje të ndërmarrjeve nga Kroacia, Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi etj.

Në tryezë u diskutuan metodat bashkëkohore të zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla e të mesme në rajon dhe strategjia e adaptimit të bazës rregullative në përputhje me standardet e BE-së për këtë sektor.

Ministri Dugolli theksoi se investimi në sektorin privat është pasqyrë e zhvillimit të vazhdueshëm ekonomik të një vendi.

“Në këtë vit kemi 60 mijë biznese private të regjistruara në MTI. Sektori privat është më i suksesshmi në aspektin e rritjes ekonomike të Kosovës, si në vitin e kaluar, ashtu edhe sipas trendëve në këtë vit. Investimi në sektorin e zhvillimit privat është një investim që garanton sukses Kosovës”, ka thënë Dugolli.

Dugolli i njoftoi të pranishmit se ka tashmë përfunduar strategjia e zhvillimit të sektorit privat, strategji që është inkorporuar në planin afatmesëm të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

ECIKS / RTK