Vjenë: Konferencë për investime dhe privatizim në Kosovë

VJENË, 23 shtator 2003 – Sot në Vjenë u mbajt Konferenca për Investime dhe Privatizim në Kosovë e organizuar nga Oda Ekonomike e Austrisë dhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) e në bashkëpunim me Nismën Ekonomike për Kosovën (ECIKS). Në praninë e shumë ndërmarrësve austriak dhe të diasporës kosovare, paraqitjet e tyre në këtë konferencë i mbajtën Ahmet Shala (AKM), Jürgen Voss (UNMIK), Besim Beqaj (Përfaqësues i Qeverisë së Kosovës në Paktin e Stabilitetit), Steven Grunerud (Raiffeisen Bank Kosova), etj.

Konferenca ishte dedikuar informimit sa më të drejtë të investitorëve potencialë nga Austria, në mënyrë që edhe ata të jenë në rrjedha të zhvillimeve ekonomike në rajon dhe të kenë paraysh mundësitë e shumta që i ofron për ta ekonomia kosovare.

Përfaqësuesi i AKM-së, z. Ahmet Shala paraqiti në mënyrë të thuktë përparësitë dhe mundësitë për të investuar në Kosovë, kryesisht në kuadër të procesit të privatizimit. Rëndësi e vecantë në zhvillimin ekonomik të vendit përpos investimeve të jashtme, sipas z. Shala, duhet t’i kushtohet edhe transformimit të strukturës së tregut kosovar nga një treg konsumi cfare është sot, në një treg prodhues.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Kosovës në Paktin e Stabilitetit, z. Besim Beqaj, me një paraqitje mjaft profesionale, vuri në pah mes tjerash, se kur flitet për investimet në Kosovë investitorët e huaj mund të llogarisin në një treg 55 milionësh për produktet e tyre e jo vetëm me tregun e brendshëm kosovar. Kjo gjë mundësohet, sipas tij, falë marrëveshjeve rajonale për tregti të lirë, të cilat në shumicën e vendeve të Ballkanit janë aprovuar apo janë në procedurë e sipër.

Në këtë konferencë u tha mes tjerash se marrëveshja për sigurimin politik të investimeve të ndërmarrjeve austriake, në mes të Kosovës dhe Austrisë, është në përpunim e sipër dhe që kjo marrëveshje pritet të nënshkruhet së shpejti. Sidoqoftë, agjensioni i specializuar për sigurime të këtilla, “Miga”, qysh tani ka shfaqur gatishmërinë për të ofruar sigurime të këtilla, edhe para nënshkrimit të marrëveshjes në fjalë. Nga Oda Ekonomike e Austrisë u bë e ditur se një delegacion i ndërmarrësve austriakë të interesuar për investime dhe për procesin e privatizimit, do ta vizitojnë Kosovën në fund të tetorit për t’u njohur më përafërsisht me përparësitë dhe dobitë e investimeve në Kosovë.

ECIKS (K.D.)