Vit i ndërtimeve me koncesion

Prishtinë, 11 janar 2007 – Buxheti i ulët dhe mungesa e fondeve ka bërë që Komuna e Prishtinës të detyrohet të japë prona me koncesion për ndërtime në kryeqytet. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës janë miratuar 7 propozim-vendime për realizimin e projekteve të ndërtimit me koncesion.

“Kemi parashikuar që viti 2007 të jetë vit i koncesioneve për Prishtinën”, thotë Sami Hamiti, kryeshef i ekzekutivit të Komunës së Prishtinës. Sipas tij, realizimin e projekteve po e zvarritin procedurat që i kërkon administrata e UNMIK-ut.

“Kërkohen shumë dokumente, sepse bëhet fjalë për koncesion afatgjatë”. Me planin detal për “Kodrën e Diellit-1” është përcaktuar hapësira për përmbajtje kulturore, e cila deri më tani nuk është realizuar. Me këtë propozim-vendim synohet realizimi i projektit ku është paraparë ndërtimi i kinemasë, i qendrës kulturore me bibliotekë, i qendrës së bashkësisë lokale dhe me përmbajtje të tjera përcjellëse.

“Për mungesë të mjeteve financiare të buxhetit të Komunës për realizimin e kësaj përmbajtjeje, është propozuar që ky program investues të realizohet nëpërmjet kontratës mbi koncesionin”, thuhet në arsyetimin e Drejtorisë së Planifikimit dhe të Urbanizimit dërguar kuvendarëve. Hapësira prapa Pallatit të Rinisë, e planifikuar si fazë e tretë e ndërtimit të këtij kompleksi, deri më tani nuk është realizuar. Projekti i ndërtimit, që do të realizohet aty, do të ketë përmbajtje sportive dhe rekreative, garazh publik, përmbajtje afariste dhe përmbajtje të tjera përcjellëse. Bashkë me objektin ekzistues të Pallatit të Rinisë dhe Stadiumin e qytetit do të formohet një kompleks koherent në kuadër të hapësirës më të gjerë, e cila do të inkorporohet në planin e ardhshëm rregullues.

Me planin detal ekzistues në lagjen “Kodra e Diellit-2” është planifikuar ndërtimi i qendrës tregtare në dy lokacione. Është propozuar që të caktohet lokacion i ri me sipërfaqe të përafërt prej 38 arësh, në pronësi komunale. Ky kompleks kryesisht do të destinohet si qendër tregtare- afariste nëntokësore, ndërsa sipërfaqja mbi të do të planifikohet si sipërfaqe e gjelbëruar me përmbajtje rekreative dhe lodra fëmijësh.

Me planin rregullues “Qendra-1” është propozuar ndërtimi i një qendre kryesisht me objekte komerciale, afariste, me garazhe nëntokësore dhe përmbajtje të tjera. Etazhiteti i këtyre objekteve është i ndryshëm dhe për fazën e parë propozohet ndërtimi i objektit në lartësinë më të madhe prej 20 kateve, ndërsa në fazën e dytë dhe të tretën objektet e tjera me etazhitet më të vogël, të cilat paraqesin një kompleks në tërësi

ECIKS / Gazeta Lajm