Raiffeisen Bank në Kosovë publikoi Raportin vjetor 2011. Ky vit ka qenë mjaft i suksesshëm për Bankën dhe është dalluar me një rritje të rëndësishme dhe përmirësime të mëtutjeshme të treguesve kyç të performancës, thuhet në një komunikatë të kësaj banke. Asetet e përgjithshme ishin 682.8 milionë euro (2010: 679.2 milionë euro) përderisa kreditë dhe paradhëniet kanë arritur shifrën 429.1 milionë euro (2010: 391.9 milionë euro). Depozitat e klientëve vazhduan të jenë stabile duke arritur shifrën prej 557.3 milionë euro (2010: 550.2 milionë euro). Profiti i arritur gjatë vitit 2011 ishte 12.4 milionë euro përderisa Raiffeisen Bank vazhdoi të jetë banka me kapitalin më të madh në Kosovë prej 58 milionë eurosh.
“Raiffeisen Bank në Kosovë ka vazhduar t’ju shërbejë të gjitha kategorive të klientëve, bizneseve dhe individëve duke ju ofruar shërbime të një kualiteti të lartë. Duke pasur parasysh rrethanat e paparashikueshme ekonomike dhe financiare në Evropë, përqindja e tregut dhe rritja me çdo kusht nuk kanë qenë qëllimi ynë primar në vitin 2011. Ne kemi pasur një likuditet mjaft të mirë sa i përket depozitave dhe e kemi rritur portfolion e kredive duke u bazuar më tepër në cilësinë sesa në volumin e kredive” tha Robert Wright, drejtor ekzekutiv i Raiffeisen Bank në Kosovë. “Rezultatet tona të mira në vitin 2011 janë vlerësuar edhe nga revista e njohur ndërkombëtare Global Finance e cila na ka zgjedhur si banka më e mirë në Kosovë për vitin 2011” shtoi z. Wright.
Gjatë vitit 2011, Raiffeisen Bank në Kosovë ka vazhduar të investojë në rrjetin e degëve dhe shërbimin për klientë. Janë hapur dy nëndegë të reja duke rritur kështu numrin e përgjithshëm të degëve dhe nëndegëve nga 50 sa ishin në vitin 2010 në 52 në fund të vitit 2011. Sa i përket shërbimit për klientë, Banka ka lëvizur nga një marrëdhënie statike tek krijimi i një marrëdhënie më dinamike dhe më të individualizuar me klientët. Ndërsa është punuar në përmirësimin e produkteve ekzistuese dhe ofertave për shërbime si dhe është prezantuar aplikacioni modern bankar M-Banking i cili ju mundëson klientëve shfrytëzimin e shërbimeve bankare përmes telefonave mobilë.
Përveç aktiviteteve afariste, Banka është fokusuar edhe në përkrahjen e projekteve të ndryshme në Kosovë si pjesë e përgjegjësisë sociale ndaj rajonit ku vepron. Pas çmimit të ndarë nga UNDP/Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës si Banka më e mirë sa i përket përgjegjësisë sociale, Raiffeisen Bank ka vazhduar të mbështesë projekte dhe aktivitete të ndryshme në fushën e sportit, artit, kulturës dhe mirëqenies sociale në Kosovë.
/Koha /